Politika Marrëveshja me Italinë/ Kryebashkiaku i Memaliajt, letër Ramës: Të gatshëm për të...

Marrëveshja me Italinë/ Kryebashkiaku i Memaliajt, letër Ramës: Të gatshëm për të strehuar një pjesë të emigrantëve

Kryebashkiaku i Memaliajt Albert Malaj i ka dërguar një letër-propozim kryeministrit Edi Rama për strehimin e refugjatëve në territorin e bashkisë që ai drejton.

Malaj ka ofruar dy vende që të jenë të përshtatshme për strehimin e refugjatëve që do të vijnë prej Italisë.

Vendi i parë është ndërtesa dykatëshe e ish-shkollës 8-vjeçare të Memaliajt e cila sot e kësaj ditë është e papërdorshme.

Ndërsa vendi i dytë është ish-spitali i Memaliajt, godinë trikatëshe.

Sipas Malajt, tek të dy ndërtesat duhet fillimisht të investohet që të jenë të përshtatshme për t’u akomoduar refugjatët, e ndërsa kjo bashki nuk ka kapacitet financiar për t’i ndryshuar fizikisht, Malaj ka kërkuar vlerësimin e konditave akomoduese dhe investuese nga qeveria shqiptare.

Kapaciteti total akomodues vlerësohet diku tek 1000 persona. Kryebashkiaku i Memaliajt shprehet se këtë iniciativë dhe vetëofrim për strehimin e refugjatëve, e ka të bazuar në eksperiencën e vet personale pasi si ish-ushtarak që ka shërbyer në FA të Shqipërisë në misionet jashtë vendit si ne Afganistan apo dhe zona të konflikte, ka përballuar dhe menaxhuar flukse të tilla refugjatësh.

Plus që Memaliaj, ka eksperiencën e saj pritëse dhe akomoduese qysh prej vitit 1999 kur ka pritur me mijëra kosovarë në kohën e luftës.

Letra e plotë:

Duke iu uruar punë të mbarë!

Po iu drejtohem nëpërmjet kësaj letre në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Memaliaj, në emër të gjithë komunitetit të bashkisë për të shprehur mbështetjen tonë si një përgjigjie humanitare ndaj situatës aktuale që përfshin emigrantët që kanë gjetur strehim në Europë.

Bazuar në marrëveshjen e lidhur mes Kryeministrit të Shqipërisë me Kryeministrin e Italisë, në të cilën është dakortësuar për sjelljen e emigrantëve dhe azilkërkuesve afrikan nga Italia në kampe të vendosura në Shqipëri, është momenti të tregojmë mikpritjen tonë nisur nga përjetimi dhe mikpritja që ne për shumë vite si emigrantë e kemi gjetur në shtetet europiane.

Bashkia Memaliaj shpreh gatishmërinë e saj për të strehuar një pjesë të emigrantëve nisur dhe nga eksperienca e fituar në vitin ‘98 duke strehuar dhe treguar traditën e mikpritjes ndaj vëllezërve tanë të Kosovës, mbështetur në dakortësimin e komunitetit i cili është i gatshëm për të dhënë kontribut pozitiv në jetesën e emigrantëve, zotërimi i hapësirave dhe ambjenteve të përshtatshme akomoduese, si dhe pozicionimi i favorshëm i territorit të bashkisë në afërsi të portit të Vlorës dhe Sarandës.

Mbështetur edhe në eksperiencën time profesionale si një ish ushtarak, i kualifikuar për menaxhimin e krizave të refugjatëve në misionet e ngarkuara jashtë Shqipërisë jam i përgatitur dhe i gatshëm për të siguruar mirëmenaxhimin dhe mbarëvatjen e procesit të strehimit të emigrantëve të huaj dhe në Bashkinë Memaliaj.

Duke Ju falenderuar për marrjen në konsideratë të këtij propozimi, kërkojmë mundësinë e angazhimit në një dialog konstruktiv me autoritetet relevante mbi detajet dhe logjistikën e strehimit të emigrantëve në Bashkinë Memaliaj.

Mbetemi në pritje të një përgjigje pozitive nga ana juaj.

Me respekt, Albert Malaj.