Ndërsa nga palët politike në Shqipëri nuk ka asnjë sinjal që do të zhbllokonte krizën në vend, ambasadori i BE-së Luigi Soreca, i ftuar në RTV Ora shpreson në një refeklektim të palëve pasi koha po përfundon.
Soreca kujton se së shpejti do të nisë fushata zgjedhore, ndaj koha e shkurtër që mbetet shpreson të shfrytëzohet më së miri.
Në të kundërt uron për një fushatë zgjedhore të paqme dhe që të ketë zgjedhje.
Ambasadori apelon të gjitha partitë politike të mendohen mirë për përgjegjësitë e tyre.
Beti Njuma: Mendoni, besoni, shpresoni se do të një kompromis të minutave të fundit mes mazhorancës dhe opozitës?
Luigi Soreca: Fundi i kësaj jave është një afat i rëndësishëm kohor për platformën nga opozita, për prezantimin e saj. Ju e dini që nesër do të ketë një protestë të organizuar nga partitë e opozitës. Koha po përfundon. Së shpejti do të nisë fushata zgjedhore, kështu që koha e mbetur është shumë e shkurtër. Unë shpresoj që ajo do të përdoret, në rast se nuk do të shfrytëzohet ne do të shohim që do të kemi një fushatë zgjedhore, shpresojmë që ajo do të jetë e paqme dhe që të kemi zgjedhje. Natyrisht që aktorët politik në Shqipëri do të duhet të përballen me të dyja palët. Pra përgjegjësia e zgjedhjeve, të cilat nuk janë të mira nga këndvështrimi politik, pasi siç e thashë zgjedhje të mira janë ato në të cilat zgjedhësit kanë zgjedhje, pra të mund të zgjedhin. Ne do të vazhdojmë në këto ditë, në këto orë që të ftojmë të gjitha partitë që të marrin pjesë në zgjedhje. Ne bëjmë diskutime dhe bashkëbisedime me të gjitha palët dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë deri në minutën e fundit.
Beti Njuma: Zoti Basha deklaroi që do të bllokojë këto zgjedhje. Një nga opsionet është ti bëjë thirrje zgjedhësve të mos dalin në votime. Gjithashtu ka deklaruar dhe rezistencë lagje më lagje dhe kuti më kuti, pra do të përdoren dhe mënyra të tjera të bllokimit të zgjedhjeve në të gjitha qendrat e votimit. Ky është skenari më i errët
Luigi Soreca: E kam dëgjuar këtë deklaratë dhe vërtet shpresoj që zgjedhjet të kryhen në mënyrën e duhur dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Së bashku me OSBE/ ODIHR po diskutojmë mënyrën e monitorimit dhe të vëzhgimit. Thirrja që unë bëj është kundrejt të gjitha partive politike të mendohen mirë për përgjegjësitë e tyre. Përgjegjësitë që ata kanë kundrejt zgjedhësve për pjesëmarrje nëse merret vendimi për të mos marrë pjesë që të respektohet e drejta e të gjithë zgjedhësve që duan të votojnë. Për këtë arsye ata të lejohen të shprehin të drejtën kushtetuese për të votuar.