Njëri prej agresorëve të Christchurch-it në Zelandën e Re duket se ka qenë admirues i flaktë i nacionalistëve ballkanas dhe përpara se të hapte zjarr mbi njerëzit e pafajshëm në xhami, kishte vendosur një këngë që nderonte Radovan Karaxhiçin.
Në faqen e tij të Facebook, Brenton Tarrant kishte postuar foto te simboleve nacionaliste të rajonit si dhe një deklaratë ku kritikohej ndërhyrja e SHBA në Kosovë.
Brenton është pikërisht personi për të cilin u tha se kishte publikuar një “manifest” me shpjegime për arsyet e sulmit duke e treguar hapur se ai po ndërmerrej “për të mbjellë frikë”; postimi përshkohej i gjithi nga një gjuhë urrejtje kundër emigranteve, thirrjet per vrasjen e myslimaneve dhe retorika te supremacisë së bardhë.
Një pjesë lidhej dhe me luftën e Kosovës. “Ballkanizimi do të reduktojë aftësinë e SHBA për të projektuar pushtetin në mbarë globin, duke garantuar kështu se nuk do të ketë më kurrë situata si ajo e përfshirjes së SHBA-së në Kosovë, kur forcat amerikane dhe ato të NATO-s luftuan në krah të myslimaneve dhe masakruan europiane të krishterë që tentonin largimin e këtyre pushtuesve islamike nga Europa”, thuhej në tekst.
Fotot e armëve të përdorura në sulm tregojnë se mbi to është shkruar emri i udhëheqësit ushtarak malazez Marko Miljanov Popovic, që i drejtoi njerëzit e tij në Luftën kundër Perandorisë Osmane, ai i Bajo Pivljanin, komandanti që u ngrit gjithashtu kundër otomaneve në Bosnjë e Mal të Zi, por edhe ai i Skënderbeut, heroit tonë kombëtar, te cilin agresori duket e shihte si mbrojtës të krishterimit.