Kanë mbërritur sot në Shqipëri edhe 8 tonë mjete të tjera të mbrojtjes personale për stafet mjekësore, sasi kjo e financuar nga qeveria shqiptare në kuadër të masave për përballimin e situatës së shkaktuar nga COVID19.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, teksa inspektoi nga afër mbërritjen e kësaj ngarkesë në Doganën e Tiranës, u shpreh se përparësia kryesore në këtë situatë është mbrojtja e personelit shëndetësor.
“Vijojmë me furnizimin në vazhdim me materialet mbrojtëse personale për mjekët, infermierët, epidemiologët, strukturën e Urgjencës Kombëtare kudo në vend. Ka qenë dhe do të mbetet përparësi mbrojtja e mjekëve, infermierëve, atyre që janë në vijën e parë të zjarrit, në luftën dhe betejën kundër COVID-19”, theksoi Manastirliu.
Kjo sasi e re e mjeteve të mbrojtjes personale për stafet mjekësore vjen pas dy furnizimeve të para të porositura nga qeveria shqiptare.
“Janë 8 tonë materiale të mbrojtjes personale, duke filluar nga veshjet, nga syzet, maskat dhe helmetat mbrojtëse, të cilat do të vijojnë të furnizojnë spitalet tona, do të vijojnë të furnizojnë qendrën e urgjencës kombëtare, Institutin e Shëndetit Publik, gjithashtu të gjithë njësitë e kujdesit shëndetësor vendor dhe të gjitha ato struktura, ku personeli përballet në betejën dhe në frontin e parë të luftës kundër COVID-19”, tha Manastirliu.
Manastirliu nënvizoi se nuk duhet të ulet vigjilenca e qytetarëve pasi përballja me COVID-19 ende nuk ka mbaruar, dhe si e tillë, respektimi i masave të aplikuara nga qeveria duhet të jetë primare për të gjithë qytetarët nga veriu në jug të vendit.
“Tashmë është një fazë e dytë e luftës kundër këtij virusi. Është shumë e rëndësishme që në këto momente që do të fillojë edhe një çlirim me pikatore i masave, të tregohemi akoma edhe më shumë vigjilentë, që nga stafet dhe ekipet tona në terren deri tek qytetarët, duke filluar nga distancimi social i cili në asnjë moment nuk do të duhet të neglizhohet, tek higjiena personale, tek dezinfektimi i ambienteve, tek të gjithë elementët e tjerë të cilët synojnë të mbrojnë qytetarët për t’i bërë ballë këtij virusi të rrezikshëm, i cili humbet fuqinë e tij nëse nuk lejohet transmetimi”, theksoi Manastirliu.