Në ditën e 20 të epidemisë së koronavirusit, Italia është tashmë në karantinë nga valle d’Aosta në Palermo, tejkalon shifrën e 10 mijë të infektuarve dhe shënon numrin më të lartë të viktimave, 168 në një ditë të vetme.
Në total viktimat janë mbi 630. Numri i rasteve të reja rezultoi më i përmbajtur se në ditët e shkuara, por kjo lidhet me vonesën e rezultateve të testeve të kryera në Lombardi; pra nuk ka akoma ngadalësim të virusit.
Sinjalet pozitive erdhën nga Kodonjo, vatra kryesore e virusit në Itali, ku për herë të parë nuk u shënua asnjë rast. Rezultatet e Kodonjos së vënë në izolim të plotë, shtynë rajonet veriore të Lombardisë dhe Venetos të kërkojnë mbylljen e gjithçkaje për 15 ditë. Autoritetet lokale kërkojnë që të mbeten në funksion vetëm shërbimet jetësore, ndërsa dyqanet, me përjashtim të atyre ushqimore e farmacive, dhe aktivitetet prodhuese të mbyllen menjëherë.
Pallati “Chigi” dhe mbrojtja civile u bëjnë thirrje qytetarëve të mos mësyjnë supermarketet, pasi ushqimet nuk do të mungojnë, dhe lëvizjet për të blerë produktet ushqimore nuk do të pezullohen.