Mbulesa vaksinale tek mësuesit është mbi 90 për qind. Kështu u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë një dëgjese në Komisionin e Shëndetësisë në Kuvend, në lidhje me masat e marra për fillimin e vitit të ri shkollor.
“Që në datë 13 mars ka filluar vaksinimi i mësuesve dhe i pedagogëve. Kemi vijuar jo vetëm me vaksinimin në shkollë por gjithashtu dhe me vaksinimin në universitetet. Deri më sot janë vaksinuar 28,512 mësues. Kemi një mbulesë të mirë vaksinale për sa i përket vaksinimit me dozën e parë dhe të dytë, mbi 90 % të mësuesve të shkollave fillore dhe të mesme rezultojnë pra të vaksinuar me një dhe dy doza”, tha Manastirliu.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,909,861 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre, 891,707 qytetarë i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-COVID.