Bota Britanikët nuk miratuan protokollet e sigurisë, Erdogan bojkoton samitin në Glasgou

Britanikët nuk miratuan protokollet e sigurisë, Erdogan bojkoton samitin në Glasgou

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan ishte në listën e udhëheqësve të vendeve të G20-s që kishte planifikuar pjesëmarrjen në punimet e samitit për klimën COP26 që po mbahet në Glasgou të Skocisë.

Por, në një zhvillim të fundit, udhëheqësi i Turqisë mori avionin dhe fluturoi sërish për në Ankara.

Në disa media ndërkombëtare nisën hamendësimet se shkak ishte bërë gjendja shëndetësore e Erdogan, që në daljet e fundit publike nuk ka qenë në formën e tij më të mirë.

Por, sipas mediave në Turqi e vërteta nuk lidhet me shëndetin e Erdogan, por me një përplasje me autoritetet britanike për çështjet e sigurisë së Presidentit.

Duke cituar burime nga Presidenca turke, mediat vendase thonë se autoritetet britanike nuk kishin miratuar protokollin e sigurisë për Presidentin Erdogan dhe në këto kushte, përgjegjësit për sigurinë e tij kanë vendosur që të mos udhëtojnë fare për në samitin e klimës.

“Presidenti e mori atë vendim sepse kërkesat tona për numrin e automjeteve dhe disa kërkesa të tjera të sigurisë nuk janë përmbushur plotësisht”, tha një zyrtar i lartë për Reuters.

Sa i takon klimës, Turqia është zotuar që të arrijë zero emëtime në atmosferë brenda vitit 2053. Zero emëtime në këtë rast do të thotë që një vend të emëtojë gazra serrë në atmosferë po aq sa absorbon. Pjesa më e madhe e vendeve të G20 kanë vendosur si afat për këtë objektiv vitet 2050-2060.