Shitja e banesave në Tiranë është vështirësuar këtë vit sipas pohimeve që kompanitë e ndërtimit dhe agjencitë e pasurive të paluajtshme kanë dhënë në një anketim të Bankës së Shqipërisë.
Për kryeqytetin, subjektet e intervistuara kanë raportuar në 6-mujorin e parë 2019 një kohë mesatare shitjeje prej 11.1 muajsh ose 1.2 muaj më të gjatë se ajo e raportuar në gjashtëmujorin e kaluar, teksa koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi raportohet të jetë mesatarisht 9.9 muaj ose mbi 1 muaj më e shkurtër se në gjashtëmujorin e kaluar.
Gjithashtu për zonën e bregdetit, koha e shitjes është rritur nga 7.4 muaj në rreth 8.3 muaj, ndërsa për zonat e tjera koha e shitjes është shkurtuar në mënyrë të ndjeshme, nga 13.2 muaj në 9.2 muaj.
Në Tiranë dhe bregdet sipas të dhënave nga lejet e ndërtimit ka një mbiofertë për banesa në raport me fillimin e dekadës.
Në gjashtë muajt e parë të vitit, në kryeqytet janë dhënë gjithsej 205 leje ndërtimi, me një rritje prej 25%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ishin dhënë në total 164 leje, sipas të dhënave të INSTAT.
Sipërfaqja e lejeve, që po shënon një rritje më të fortë. Në 6 muajt e parë të vitit, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet, po sipas INSTAT, ishte 753,087 m², duke shënuar një rritje me 136% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Vetëm në tremujorin e parë të 2019-s, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi ishte 50% më e lartë sesa ajo që u dha për gjithë 6-mujorin e parë 2018. Vetëm në tremujorin e parë u dha për ndërtim një sipërfaqe prej rreth 480 mijë metra katrorë. Në 3-mujorin e dytë, ritmet ranë disi dhe sipërfaqja zbriti në 273,133 m².
Në kryeqytet janë hapur gropat dhe ka filluar ndërtimi i një sërë kullave, si Down Town tek ish-7 Xhuxhat, një kullë me 40 kate. Book Building, po ndërtohet pas sahatit dhe sipas lejes zhvillimore është Godinë Polifunksionale 4, 5, 11 dhe 21 kate. MET Building Tirana, pranë Hotel Dajti do të jetë një kullë 12-katëshe. Syri i Tiranës po ndërtohet në pikëlidhjen mes Rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit.
Ndërtuesit kanë nisur të huasin shenjat e para të vështirësive që ka krijuar mbioferta teksa kanë pohuar se inventarët po rriten, duke sinjalizuar për vështirësi në shitje. Ritmet e rritjes së kryeqytetit kanë ulur rënien teksa rënia e lindjeve dhe emigracioni i lartë kanë maturauar emigrimin e brendshëm./Monitor