Juventusit nuk i mjaftoi as “mbreti” i Championsit për të ngritur një trofe që “Zonja e vjetër” e Italisë e ëndërron prej vitit 1996.
Bardhezinjtë u ndalën në çerekfinalet e kompeticionit më prestigjioz për klube në kontinentin e vjetër, për të dytin vit radhazi, pavarësisht se pati në gjirin e saj një Cristiano Ronaldo protagonist absolut në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë.
Portugezi, pas humbjes 2-0 në “Wanda Metropolitano”, i shënoi një trigolësh Atleticos së Madridit në ndeshjen e kthimit, e më pas dy gola Ajaxit në harkun e një jave.
Falë tyre, CR7 u ngjit në kuotën e 126 golave në Champions, por për herë të parë pas plot 8 sezonesh nuk do të mund të zbresë në fushën e blertë për të luajtur një ndeshje gjysmëfinale.
Një befasi e dyfishtë për klubin nga Torino, që në verë investoi më shumë se 100 milionë euro për kartonin e një lojtari, që ka qenë vendimtar më shumë se kushdo tjetër në turneun e kupës “veshëgjatë”. E këtë nuk e thonë thjesht tifozët e portugezit, por shifrat: Ronaldo ka mundur të shënojë 25 herë në 22 ndeshje çerekfinale të Championsit, duke mos pasur një rival në këtë aspekt.
Ylli portugez, që tashmë numëron 34 vite mbi shpinë por që mban në “palmaresin” personal 5 trofe të Champions League, tre të fundit të fituara me Realin e Madridit, zbarkoi në Torino me misionin për ta sjellë trofeun në shtëpinë e Juventusit, por “abdikimi” duket se do t’ia rrisë dëshirën për hakmarrje, pasi një lojtar i tillë nuk është mësuar të shohë të tjerët të festojnë.