Histori Mbreti Zog nga Kajro, 1949: Jam autoriteti i vetëm legjitim shqiptar që...

Mbreti Zog nga Kajro, 1949: Jam autoriteti i vetëm legjitim shqiptar që nga agresioni italian i 1939

Nga Aurenc Bebja*,

“Combat” ka botuar, të enjten e 1 shtatorit 1949, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me reagimin e mbretit Zog ndaj krijimit të “Komitetit të Shqipërisë së Lirë” dhe thirrjen e tij drejtuar shqiptarëve, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Shqipëri

Mbreti Zog konteston legjitimitetin e komitetit “Shqipëria e Lirë

Kajro, 31 gusht. — Ish-mbreti Zog, i cili banon në Aleksandri, u shpreh mbi formimin e fundit të “Komitetit të Shqipërisë së Lirë”, nëpërmjet një komunikate të publikuar nga “Legata Mbretërore e Shqipërisë” në Kajro, në të cilën ai thotë se e konsideron veten si “autoritetin e vetëm legjitim që nga agresioni italian i 1939”.

Ai ftoi “të gjithë shqiptarët pa dallim politik” që të arrijnë bashkimin kombëtar për t’i siguruar Shqipërisë “një epokë të re në kuadrin e kombeve të lira dhe demokratike”.

Beogradi mohon ekzistencën e komiteteve shqiptare “titoiste”

Beograd, 31 Gusht. — Agjensia Tanyoug e autorizon veten të mohojë si “të pabazuar” informacionin e formimit të dy komiteteve refugjatësh politikë shqiptarë në Jugosllavi.

Tiranë: “Shqiptarët e Lirë” janë kriminelë lufte

Tiranë, 31 gusht. — Qeveria e Z. Enver Hoxha, në një deklaratë të lëshuar dje, tha se nismëtarët kryesorë të komiteteve të ndryshme shqiptare, të përbëra ose në proces krijimi në vendet perëndimore dhe që synojnë rrëzimin e regjimit aktual, janë ish-kriminelët e luftës, të pretenduar si të tillë nga Shqipëria.

Kjo akuzë është drejtuar veçanërisht kundër Z. Frashëri dhe Kupi, drejtuesit kryesorë të Këshillit të Shqipërisë së Lirë, të formuar së fundmi në Paris me nxitjen e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.

*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania