Kryeministri Edi Rama tha sot se po punohet për rikthimin e shqiptarëve që kanë mbetur jashtë kufirit. Sipas tij, deri më tani, janë raportuar 2 163 shqiptarë të cilët kanë mbetur jashtë kufirit, ndërsa prej tyre, janë identifikuar 1 379.
Kryeministri Rama theksoi se lidhur me këtë çështje është diskutuar edhe ditën e mërkurë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.
“Gjatë këtyre ditëve kemi marrë shqetësime të mëdha, të vërteta, reale, nga bashkëqytetarë, fëmijët tanë që ndodhen jashtë Republikës së Shqipërisë dhe që i ka zënë lufta matanë kufirit. Edhe dje me Presidentin në Këshillin e Sigurisë e kemi ndarë këtë shqetësim dhe presidenca është e përfshirë në një bashkëpunim intensiv me Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Infrastrukturës dhe drejtpërdrejt dhe Ministrin e Shtetit për Rindërtimin, që mbulon dhe koordinimin e kësaj përpjekje”,- tha Rama.
“Janë të identifikuar, të listuar si rezultat i ankesës 1 379 shtetas dhe janë 2 163 të raportuar. Kush dëgjon dhe ndjek këtë komunikim, të sigurohet e të identifikohet përmes kanalit të urgjencës që kemi në këtë platformë dhe në Ministrinë e Jashtme dhe mos u ankoni për ambasadat që iu del telefoni i zënë sepse po merren gjithë kohës me këtë punë. Prandaj përdorni këtë kanal urgjence”,- tha Rama.
“Faktikisht në të gjithë temat që unë ndoqa, sipas arsyeve që kemi renditur ka një numër të konsiderueshëm të ankesave lidhur me këtë çështje nga numri total i 7 431 pyetjeve që kanë ardhur. Më i madh numri ndodhet në Itali, kemi pasur një situatë pak të veçantë, se ka kusht për të bërë testime për të nxjerrë jashtë të huajt, por në fund është kapërcyer, jemi gati të përgatisim tërheqjen e tyre në Itali, më pas janë 341 në Kroaci që do t’ju lehtësojmë procedurën dhe që do të mund të vijnë në rrugë automobilistike. Anglia ka 114, Zvicra ka 77. Greqia 45. Pastaj janë dhe një sërë vendesh të tjera që kanë numra më të vegjël. Ne nuk i shohim si numra por si njerëz të familjes që duan të kthehen në shtëpinë tonë të përbashkët në këtë situatë. Kemi zgjidhur 52 shtetas nga Spanja që janë tërhequr, 114 nga Gjermania, 110 nga Rumania që janë tërhequr. 45 nga Bullgaria, 22 nga Franca, 33 nga Emiratet e bashkuara Arabe”,- theksoi Rama.