Kryesore “Më 12 Maj Tik Toku do të lëshohet menjëherë”, Berisha: Lista e...

“Më 12 Maj Tik Toku do të lëshohet menjëherë”, Berisha: Lista e PS përbëhet nga kandidatë me dosje në SPAK

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale është ndalur tek listat e Partisë Socialiste për kandidatët për deputet në zgjedhjet e 11 Majit.

Berisha gjatë fjalës së tij ka hedhur akuza ku është shprehur se grupi i parë i listës së Edi Ramës janë që të gjithë pa përjashtim me dosje të rënda SPAK-u dhe aferash korruptive, teksa sipas tij grupi tjetër është grupi i patronazhistëve famëzinj.

Kreu i PD thekson se PD ndryshe nga PS paraqet para shqiptarëve kandidaturat më përfaqësuese që ajo ka paraqitur në tërë ekzistencën e saj.

“Ka qenë një javë hektike, në kuptimin e mbledhjeve të pafundme për përzgjedhjen e kandidaturave, por mendoj se PD paraqet para shqiptarëve kandidaturat më përfaqësuese që ajo ka paraqitur në tërë ekzistencën e saj. Paraqet para shqiptarëve kandidatura që kanë një karrierë politike të gjatë dhe kanë qëndruar në pushtet si shërbëtorë të qytetarëve. Shkurtimisht, grupi i parë i listës së Edi Ramës janë që të gjithë pa përjashtim me dosje të rënda Spak-u, aferash korruptive ndër më të mëdhatë dhe lidhje me krimin ndër më të tmerrshme. Simbol i kësaj liste, përveç Edi Ramës vetë, është Taulant Balla.

Grupi tjetër, është grupi i patronazhistëve famëzinj, të cilët nuk kanë ligj as moral, mercenarë të vërtetë që shkelin kushtetutën për privilegjet e tyre për të mbrojtur pushtetin. Vendosen në lista, sepse njëri i thotë se Rama është Zeus, se tjetra thotë se, Rama është 10 hapa para. E treta thotë, është brand botëror. Pra, lista e turistëve, është lista, duhet ta themi haptas, është lista më qesharake që është paraqitur ndonjëherë. Sepse, çfarë ndodh? Këta vijnë e shkojnë. Marrin një mandat, rrinë 4 vjet, vazhdojnë punën e tyre dhe merr një grup turistësh tjerë, i sjell, i merr dhe këta i quan fasada, i quan meremetim, këta i quan ripërtëritje. Po ripërtëritja nuk është një proces turistik”, u shpreh Berisha.

Ndër të tjera Berisha është pyetur edhe lidhur me mbylljen e TikTok, mbyllje të cilën e ka paralelizuar me vendimet e habitullahut të Kabulit. Sipas tij, Rama me mbylljen e TikTok po tregon se po të ishin ligjet e vjetra, nuk do i dridhej dora të varte në litar, të gjithë ata që do e kritikonim dhe do kishin mendime ndryshe.

“Akti i Edi Ramës për mbylljen e Tik Tok është identik me vendimin e habitullahut të Kabulit dhe Ajetollahut të Teheranit për mbylljen e kësaj platforme të mrekullueshme. Edi Rama ka dhe një problem tjetër madhor në këtë qëndrim. Ftoj shqiptarët të mos harrojnë se në Gusht të vitit 1988, Kristaq Rama asokohe zëvendësi i Nexhmije Hoxhës dhe anëtar kryesor i presidiumit të Kuvendit Popullor, pra i Ramiz Alisë, firmos varjen në litar të poetit Havzi Nela për vargjet e tij kushtuar fjalës së lirë dhe lirisë së mendimit. Me aktin e tij, pas 37 viteve ndaj Tik Tok, Edi Rama dëshmon se po të ishin ligjet e vjetra, nuk do i dridhej dora të varte në litar njëlloj si i atij, njëlloj siç po vepron me Tik Tok, të gjithë ata që do e kritikonim dhe do kenin mendime ndryshe. Por sot të rinjtë kanë një protestë të madhe dhe kjo është protesta më e rëndësishme e jetës së tyre për lirinë e fjalës. Ndaj dhe unë i përgëzoj ata dhe i garantoj se, me datën 12 Maj Tik Toku do të lëshohet menjëherë”, thekson Berisha.