Tomas Strakosha pësoi dy gola në ndeshjen e fundit me Xhenoan në transfertë, por Lacio fitoi dhe mbetet pas krahëve të Juventusit, në garë për titullin kampion në Serinë A. Portieri kuqezi është një faktor shumë i rëndësishëm në mekanizmin e trajnerit Inzagi, vendimtar në shumë ndeshje. Ai dhe mbrojtja e Lacios kanë treguar qëndrueshmëri gjatë gjithë sezonit, por Strakoshën e dallojnë nga të tjerët statistikat.
Sipas prestigjiozes italiane, “Corriere dello Sport”, është Strakosha portieri me përqindjen më të lartë të pritjeve në Serinë A. Por jo vetëm kaq, sepse portieri i Kombëtares shqiptare mban vendin e dytë edhe në klasifikimin e portierëve me më shumë pritje në 5 kampionatet më të rëndësishëm të Europës. Analiza e gazetës italiane u referohet portierëve që kanë më shumë se 20 ndeshje të luajtura këtë sezon.
Statistikat e Tomas Strakoshës janë vërtet mbresëlënëse. Ai ka bërë 75 pritje në 95 gjuajtje drejt portës së tij, pa llogaritur këtu ndeshjen e fundit me Xhenoan. Në përqindje i takon që portieri kuqezi ka pritur 77.9% të gjuajtjeve të kundërshtarëve. Në vend të dytë është portieri i Parmës, Luxhi Sepe, me 77.3% dhe në vend të tretë portieri i Veronës, Marko Silvestri, me 76.2%. Janë thjesht statistika, por fakti që Strakosha qëndron para portierëve të kalibrit botëror si Samir Handanoviç dhe Xhanluixhi Donaruma, tregon shumë. Portieri tjetër shqiptar i Serisë A, Etrit Berisha, dallon për faktin që ka numrin më të lartë të pritjeve, 104 pritje, por në nivel përqindje është poshtë në renditje me 70.4%.
Portieri më i mirë në 5 kampionatet më të fortë në Europë është Xheronimo Ruli i Montpelje në Francë. Ai ka pritur 78.1% të gjuajtjeve drejt portës së tij dhe më pas vjen Tomas Strakosha. Podi plotësohet me një tjetër portier që luan në Francë, Pedrag Rajkoviç i Reims.