Kur në pranverën e këtij viti zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë shpërndante nëpër redaksitë e lajmeve pikat kryesore të Raportit 2018 të Komisionit Evropian për Shqipërinë, një nga vërejtjet e pandryshueshme vit pas viti ishte edhe çështja e sistemit arsimor dhe arsimimit në Shqipëri. “Cilësia e arsimit duhet të ngrihet në të gjitha nivelet, veçanërisht për t’i pajisur më mirë njerëzit me aftësi që i nevojiten tregut të punës”, theksohej në raportin e prillit.
Ky rekomandim lapidar që reflektohet edhe në protestat e këtyre ditëve të studentëve, përkthen në një farë mënyre edhe disa gjetje të një sondazhi të freskët të Komisionit Evropian, sipas të cilit Shqipëria ka popullsinë më të pakënaqur me arsimin në Evropë. Gjithashtu, thekson sondazhi, personat me të ardhura të ulëta dhe ata që jetojnë në zonat rurale vuajnë më shumë, sepse në shumë raste nuk mund të kryejnë as arsimin e mesëm dhe jo më atë të lartë.
Ky sondazh i publikuar nga Eurofound u zhvillua në të gjitha vendet anëtare dhe kandidate të Bashkimit Europian. Shqipëria rezultoi se kishte nivelin me të ulët të kënaqësisë me cilësinë e jetës në vend deri në 5.8, ndërkohë që mesatarja evropiane është 7.3. Edhe në krahasim me vendet e tjera kandidate për t’u anëtarësuar, shqiptarët janë sërish më të pakënaqurit. Eurofound ka bërë një ndarje me katër grupe sipas të ardhuravet. Individët me të ardhura të ulëta kishin nivelin më të ulët të kënaqësisë ndaj arsimit, me 4.6 pikë.
Ndërkaq, në maj të vitit 2017, pas një studimi mbi arsimin e lartë të mbështetur nga Komisioni Evropian, profesori i London School of Economics, dr. William Bartlett, ngrinte habitshmërisht pikëpyetje edhe për raportin mes numrit të lartë të të diplomuarve dhe numrit të lartë të papunësisë te të rinjtë apo të punësimit në punë që s’kanë lidhje me diplomën e marrë. Në kapitullin për Shqipërinë studimi theksonte se “të diplomuarit në privat janë më të kënaqur me cilësinë e arsimit të tyre se sa të diplomuarit nga shkollat publike”. Raporti vinte në dukje edhe problemet me punësimin, mësimdhënien, etj., duke e shoqëruar raportimin me disa rekomandime specifike për qeverinë, universitetet dhe biznesin. Por duke marrë parasysh dy faktorë shumë të rëndësishëm, siç janë niveli i ulët ekonomik i shqiptarëve dhe, mbi të gjitha, reformën e re në arsimin e lartë, profesor Bartlet kishte hartuar edhe një sërë rekomandimesh që synonin që në atë kohë të sheshonin nivelin e lartë të pakënaqësisë së shqiptarëve ndaj arsimit në përgjithësi.
Ndryshe nga Shqipëria, në vendet e tjera, të anketuarit që i përkasin nivelit të ulët të të ardhurave kanë një nivel të lartë të kënaqësisë për arsimin. Dhe këtu në lojë hyjnë çështja e tarifave të larta universitare në Shqipëri, por edhe cilësia e keqe dhe korrupsioni në mësimdhënie. Nivelin më të lartë të kënaqësisë ndaj arsimit e ka Serbia, e cila është sa mesatarja e Bashkimit Evropian. Mali i Zi gjithashtu ka një nivel të lartë kënaqësie me sistemin arsimor, prej 6.7 pikësh. Më pas vijojnë vendet si Maqedonia me 6.1 pikë dhe Turqia me përkatësisht 6 pikë. Ndërsa në Europë, vendet me nivelin më të lartë të kënaqësisë ndaj sistemit arsimor janë Danimarka me 8.2 pikë dhe Finlanda me 7.9 pikë.
Analiza e profesor Bartlet ndërkaq kishte edhe direktivat se ku duhet të shkojë sistemi i lartë në Shqipëri. Synimi në këto rekomandime ishte që të bëhen brenda pak brezash ndryshime thelbësore për të arritur një ekuilibër më të mirë mes kërkesës dhe ofertës së tregut. Analiza tregonte (ashtu siç më pas edhe u vërtetua) se nuk pritej të kishte një mbingarkesë të vazhdueshme dhe të madhe të të diplomuarve në vitin 2018 në fushat e gjera të studimit, si Shkenca Humane, Biznes dhe Ligj. Kjo ndoshta edhe për shkak të pamundësisë ekonomike që ka një familje shqiptare për t’ia përballuar shkollën e lartë fëmijës.
Ashtu siç konfirmojnë të dhënat e INSTAT, shtrëngimi i lakut ekonomik tek fyti i shqiptarëve ka ulur ndjeshëm edhe numrin e studentëve që arrijnë deri tek dyert e universiteteve. Gjatë katër viteve të fundit, në çdo vit akademik ka më pak studentë. Në vitin 2018 u regjistruan rreth 129 mijë studentë, prej të cilëve 23 mijë janë regjistruar në universitetet private dhe në krahasim me një vit më parë, numri i studentëve ra me 7%. Sot në auditorët e universitetet publike numërohen rreth 37 mijë studentë më pak.