Politika Media e huaj vazhdon jehonën për ndihmën e mjekëve shqiptarë për Italinë

Media e huaj vazhdon jehonën për ndihmën e mjekëve shqiptarë për Italinë

Nisja drejt Italisë, një nga vendet më të prekura në botë nga pandemia e koronavirusit, e 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, ka tërhequr sërish sot vëmendjen e medias ndërkombëtare:

Corriere della Sera

Euronews

Shqipëria ka dërguar 30 mjekë dhe infermierë në Itali, vendi më i goditur në Europë nga pandemia COVID-19, njoftoi kryeministri shqiptar dje.

Ekipi mjekësor shqiptar u shoqërua në aeroportin e Tiranës nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

”Mjekët shqiptarë do të shkojnë në Lombardi për të ndihmuar kolegët e tyre italianë”, deklaroi Rama.

“Sot ne jemi të gjithë italianë”, tha Rama gjatë një fjalimi të shkurtër në aeroport.

“Italia do ta fitojë këtë betejë”, shtoi ai.

La Reppublica

”Koronavirusi, Shqipëria dërgon mjekë dhe infermierë: “Nuk e harrojmë Italinë që na ndihmoi” është titulli i gazetës së njohur italiane ”La Reppublica”.

“Dua të falënderoj kryeministrin Edi Rama, qeverinë shqiptare dhe njerëzit për solidaritetin që po na tregojnë”, tha ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio duke përshëndetur delegacionin në Fiumicino.

“Solidariteti që tregon Shqipëria është një vlerë e përbashkët që lindi në Bashkimin Europian dhe që po na kujton shumë vende të BE-së në këtë kohë”, shtoi Di Maio duke shpjeguar se mjekët do të shkojnë në Lombardi.

news1.news

News1.news i kushton kësaj ngjarjeje shkrimin me titull ”Urgjenca e koronavirusit, Shqipëria dërgon 30 mjekë në Itali: “Le të mos braktisim një mik në nevojë”.

”Faleminderit Tirana, thotë ministri i Jashtëm Luigi Di Maio ndërsa priti ekipin mjekësor shqiptar.

Sanitarët do të dërgohen menjëherë në Brescia. Ardhja në rajonin italian më të prekur nga urgjenca është koordinuar nga Francesco Boccia, Ministër për Çështje Rajonale dhe Autonome.

Nicolas Ferrante – gazetar

Shqipëria ndihmon Italinë me një patrullë prej 30 mjekësh.

Një mësim i shkëlqyer drejt shteteve të Europës Veriore që besojnë se kanë ekskluzivitet në BE.

Bisedimet e pranimit të Shqipërisë filluan ditë më parë, por faktet kanë më shumë rëndësi sesa traktatet.

Federica Mogherini – ish-shefja e diplomacisë e BE-së

Feleminderit Edi Rama dhe Shqipërisë. Për ndihmën dhe për leksionin e solidaritetit. Shpresoj që të tjerët ta dëgjojnë dhe që italianët ta mbajnë mend.

Pierpaolo Sileri – Zëvendësministri italian i Shëndetësisë

Me ministrin e Jashtëm Di Maio, mikpritëm ministrin e Jashtëm shqiptar, Gent Cakaj dhe 30 punonjës shëndetësorë nga Shqipëria. Vërtet bukur për të parë që ata po vijnë. Emocionuese kur, mes tyre, njoha dy studentë të mi shqiptarë. Faleminderit Shqipërisë për këtë ndihmë të çmuar!

Andrea Chittaro – Zëvendëspresident i Sigurisë dhe Mbrojtjes Kibernetike

”Ky është kryeministri shqiptar, Edi Rama i rrethuar nga 30 mjekë dhe infermierë që do të ndihmojnë personelin shëndetësor italian. Bën një lloj efekti të dëgjosh fjalët e tij, lider i një vendi të vogël me pak burime dhe shumë probleme”.

Andrea Babbi – Akademik

”Kryeministri Rama u jep një leksion human dhe institucional Merkelit. Europa e rithemeluar dje, vdiq”.

Sandro Ruotolo – gazetar

”Ne i ndihmuam 30 vite më parë, dhe sot Shqipëria dërgon mjekë dhe infermierë në Itali. ”Ne nuk jemi të pasur dhe aq më pak të privuar nga kujtesa”, thotë kryeministri Rama. Së bashku do t’ia dalim.

TgCom24.it

Me titullin ”Emergjenca koronavirus, Shqipëria nis 30 mjekë në Itali: ”Nuk e lëmë vetëm një mik në nevojë”, TgCom24.it shkruan se kryeministri Rama deklaroi se ”ne nuk jemi të pasur dhe aq më pak të privuar nga kujtesa dhe nuk mund të lejojmë të mos i tregojmë Italisë se shqiptarët dhe Shqipëria nuk e braktisin kurrë mikun e tyre në vështirësi”.

Me këto fjalë kryeministri shqiptar Edi Rama shoqëroi largimin e ekipit prej 30 mjekësh dhe infermierësh për në Itali, shkruan TgCom24.it.

”Dua të falënderoj publikisht kryeministrin shqiptar Edi Rama, tërë qeverinë shqiptare dhe popullin shqiptar për solidaritetin e madh që po na tregojnë. Para se këta njerëz të hipnin në fluturimin që shihni pas meje, për të mbërritur këtu në Itali, Rama tha se edhe Shqipëria po përballet gjithashtu me urgjencën e koronavirusit, por ata nuk mund t’i mbajnë rezervat e tyre, kur miqtë e tyre italianë tashmë kanë mbaruar gjithçka që kishin”, citohet ministri i Jashtëm italian, Luigi di Maio.