Vizitën e përfaqësuesit special për Ballkanin Perëndimor të SHBA, Matthew Palmer, mediat serbe e kanë cilësuar si një mesazh të qartë që SHBA i ka dhënë Serbisë në lidhje me Kosovën. Ato shkruajnë se Palmer e tha qartë për të gjithë se “Serbia nuk do të bëhet kurrë anëtare e BE nëse nuk njeh pavarësinë e Kosovës.”
“Palmer, gjatë një bisede me studentët në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, tha se Vuçiç e dinte që Serbia kurrë nuk do të hynte në BE pa zgjidhur problemin me Kosovën” shkruajnë mediat serbe, të cilat theksojnë dhe faktin se Serbia duhet të ndalojë fushatën për të tërhequr njohjen e Kosovës.
“Cilido hap që do të ndërmerret pas normalizimit do të jetë më i lehtë. Sapo të formohet një qeveri e re, do të duhet të rinisin negociatat. Ne nuk e shohim integrimin e vendit tuaj pa pajtim me Serbinë. Ju meritoni NATO, BE, OKB, ju meritoni të mos jeni pas SHBA, por krah për krah me ne. E tillë është e ardhmja përmes dialogut, sepse status quo nuk është i mjaftueshëm. Bisedimet me Serbinë ishin të ndërlikuara. Por historia e Kosovës ka qenë gjithmonë për tejkalimin e sfidave dhe kompromiseve. SHBA nuk imponojnë një marrëveshje, Kosova dhe Serbia duhet ta arrijnë dhe aprovojnë atë. Negociatorët duhet të kenë vend për të eksploruar idetë”, citojnë mediat serbe një pjesë të fjalës së Palmer në Kosovë.