Bernie Ecclestone, ish-pronari i Formula 1, ka bërë me dije sot se makina Mercedes mund të largohet nga Formula 1 në vitin 2021, kur hyjnë në fuqi rregullat e reja. Makina gjermane nuk e ka firmosur ende paktin e marrëveshjes me Liberty Media, pronarët aktualë të Formula 1, çka lë hije dyshime për një largim të makinës gjermane nga ky sport.
“Toto Wolff po përgatitet për një largim të mundshëm të Mercedes nga Formula 1. Për më tepër që makina gjermane ende nuk ka firmosur paktin e marrëveshjes, siç kanë bërë makinat e tjera. Kjo është pak e habitshme”, tha Ecclestone.
Sipas ish-pronarit, Mercedes po sheh mundësi të tjera për të ardhmen, duke qenë se në Formula 1 po dominon dhe fiton gjithçka prej 6 vitesh. “Përse Mercedes duhet të investojë kaq shumë parà në këtë sport kur ka fituar gjithçka. Kjo kompani është e kënaqur nga marketing që i ka bërë motorit hybrid, sidomos për sa i përket imazhit të saj”, tha Ecclestone.