Në deklarimet e para pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve kancelarja Angela Merkel u shpreh, se ka besim t’u prezantojë gjermanëve një qeveri të qëndrueshme deri në Krishtlindje.
Kancelarja Angela Merkel pas fitores, ndonëse me erozion rekord të elektoratit për CDU-në, në zgjedhjet parlamentare të së dielës, u shpreh se e konsideron të mundshme që pavarësisht bisedimeve të vështira të koalicionit, ajo është e sigurtë se deri në Krishtlindje do të mund t’u prezantojë një qeveri të qëndrueshme gjermanëve.
Merkel shprehimisht nënvizoi: “Unë jam në përgjithësi me besim. E përveç kësaj: prej shumë vitesh unë kam moton, që tek qetësia qëndron forca.”
Kryesia e SPD-së deklaroi menjëherë pas shpalljes së rezultateve paraprake dhe humbjes së rëndë të saj, se do të dalë në opozitë.
E mundshme mbetet, që koalicioni i ardhshëm qeverisës të përbëhet nga tri parti: CDU/CSU, FDP dhe Të Gjelbërit.
Krijimi i një koalicioni të tillë konsiderohet i vështirë për shkak të diferencave të mëdha mes CSU-së dhe ekologjistëve.