Oficeri i policisë, Krenar Guçe është marrë në mbrojtje, për shkak se një foto e tij është gjetur në celularin e Nuredin Dumanit.
Fakti që në celularin e Dumanit është gjetur fotoja e oficerit, ka shtyrë hetuesit të dyshojnë se ndaj tij mund të kishte porosi për atentat.
Aktualisht, Guçe është me detyrë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë si specialist. Ndërsa, më parë, ai ka mbajtur detyrën e Shefit të Seksionit të vrasjeve në Policinë e Elbasanit në vitet 2019-2020.
Në vitin 2020, dy ngjarje kriminale brenda një harku kohor të shkurtër tronditën Elbasanin. Vrasja e Emiljano Ramazanit dhe mikut të tij Regis Runaj çuan në pranga dy persona, Xhuljano Hoxha dhe Ergis Halili, ndërsa si organizator u akuzua Erion Alibej, i cili ndodhej në burg.
Hetimet e zhvilluara nga ish-drejtuesi i sektorit të vrasjeve prangosën tre persona, ndërsa ngjarjet ishin drejt zbardhjes. Pikërisht në këtë moment, mësohet se ka ndodhur dhe kërcënimi me jetë që i është bërë oficerit të policisë.
Burime pranë hetuesve thanë se fillimisht oficerit i është bërë kërcënim verbal në burgun ku mbaheshin të dyshuarit, ndërsa më pas porosia për eliminimin e tij kishte mbërritur në celularin e Nuredin Dumanit. Ka qenë Henrik Hoxhaj, bashkëpunëtori tjetër i drejtësisë, i cili ka dhënë detaje mbi ngjarjen dhe porosinë për eliminimin e oficerit, ndërsa Dumani ka konfirmuar gjithçka nëpërmjet fotografisë së tij.
Nuredin Dumani është një nga emrat më të përfolur në botën e krimit, i cili u arrestua mbrëmjen e 29 marsit të vitit 2022 në Fier, pak pasi kishte marrë mjekim për plagosje në shpinë nga tre mjekë në një shtëpi private.
Ai është cilësuar si një nga personazhet më të rrezikshëm në Shqipëri, i akuzuar për një seri ngjarjesh kriminale dhe tashmë si bashkëpunëtor i drejtësisë ka dëshmuar në lidhje me disa nga krimet që ka kryer.
Më 19 maj të këtij viti, SPAK lëshoi 32 urdhër-arreste pas finalizimit të një megaoperacioni, që nisi pas arrestimit të Nuredin Dumanit. Operacioni është shtrirë në Elbasan, Durrës, Tiranë dhe Lezhë për goditjen e grupeve kriminale.