Janë përcjellë për në banesën e fundit trupat e dy të rinjve me origjinë shqiptare, Veton dhe Lindita Musai.
Mijëra të pranishëm, shqiptarë, por edhe australianë ishin sot në Xhaminë Shqiptare në Melburn për t’i dhënë lamtumirën e fundit çiftit Musai ose çiftit engjëllor siç u quajt nga mediat australiane gjatë ditëve të fundit.
Në disa foto të bëra publike nga mediat australiane, shihen familjarët të mbytur nga dhimbja teksa u japin lamtumirën çiftit që u ekzekutuan më 31 dhjetor nga babai i Linditës, për arsye që ende mbeten mister.
Vetëm një vit pas martesë, ata janë vrarë me armë në oborrin e shtëpisë së tyre në Melburn nga i ati i 25-vjeçares, i cili ndodhet në gjendje kritike në spital, pasi pas aktit të rëndë ka shtënë edhe mbi veten.
Ndërkohë policia është në pritje të përmirësimit të gjendjes së tij për ta marrë në pyetje dhe për të hedhur dritë mbi këtë tragjedi të rëndë.