Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dërguar një mesazh për të gjithë kandidatët që do të marrin pjesë në primaret, zgjedhjet brenda partisë nga ku do të dalin kandidatët e opozitës për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.
“Dy ditë na ndajnë nga evenimenti më i madh pas themelimit të partisë Demokratike deri sot, votimi për kandidatët, për qytetarët e parë të bashkive të vendit të cilët garuan gjatë kësaj periudhe dhe presin me pa durim votën tuaj, besimin tuaj, pjesëmarrjen tuaj, në procesin zgjedhor të datës 4 dhjetor dhe që zhvillohet në mbarë vendin”, tha Berisha.
“Duke ju falënderuar me shumë mirënjohje, anëtareve dhe anëtarëve, simpatizantëve dhe simpatizantëve, të gjithë kandidatëve që morën pjesë në garë, drejtuesve të partisë, grupseksioneve dhe seksioneve, u bëj thirrjen më miqësorë, të bëni gjithçka për një proces dinjitoz që ju jep ju, Partisë Demokratike dhe shoqërisë shqiptare shumë nder, që zgjeron dhe konsolidon liritë tuaja, për votimin në primare më datën 4 dhjetor. Pjesëmarrja juaj është një kontribut i veçantë. Unë e di që keni bërë shumë punë por tani jeni të ftuar të flisni, të firmosni me votën tuaj për kandidatin më të mirë që ju besoni, që ju mendoni. Kam besim të madh se do ta shndërrojmë këtë ditë të një rëndësie historike jo vetëm për PD por për Shqipërinë”.
Për këtë proces, Berisha ka marrë mbështetjen edhe të aleatit të tij, Ilir Meta, i cili ia ka lënë në dorë PD të nxjerrë kandidatët për kryetarë bashkie, por do të futet me lista të veçanta për anëtarët e këshillave bashkiakë.
Megjithatë, brenda vetë PD-së përçarja e krijuar që nga koha kur partia drejtohej nga Basha vijon. Grupi tjetër, i kryesuar nga Enkelejd Alibeaj, ka deklaruar se do të dalë me kandidatë të veçantë. Por se cili grupim do të garojë me logon e PD, këtë do ta vendosë gjykata, që ende nuk ka marrë vendim mbi ankimimin e bërë nga Alibeaj për miratimin e statutit të dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit 2021, të organizuar nga Berisha.