Sport “Mrekulli” e Koresë së Jugut, mund Portugalinë dhe kalon në fazën tjetër,...

“Mrekulli” e Koresë së Jugut, mund Portugalinë dhe kalon në fazën tjetër, dramë për Uruguain

Gëzim në minutën e fundit për Korenë e Jugut që kalon në fazën tjetër të Botërorit, ndërsa Uruguai pëson një dramë.

Një gol në fund për aziatikët që kaluan 2-1 Portugalinë dhe e mbyllën grupin me 4 pikë aq sa Uruguai, por me diferencë golash.

Koreano-jugorët nuk u dorëzuan kurrë edhe pse kaluan të parët në disavantazh, ndërsa falë këtyre tre pikëve janë ata që kalojnë në raundin pasardhës pikërisht falë golavarazhit duke lënë jashtë Uruguain. Nga ana tjetër, Portugalia nuk rrezikon asgjë pasi ruan vendin e parë me gjashtë pikë.

Uruguai nuk arrin kështu në fazën tjetër të Kupës së Botës, edhe pse kaloi 2-0 Ganën ku De Arrascaeta shkëlqeu me dy gola në pjesën e parë. Amerikanojugorët zhvilluan një ndeshje model duke i dhënë një leksion ekipit afrikan që i jep lamtumirën Kupës së Botës bashkë me bardhekaltërit.

Ndeshje me shumë ritëm në Doha ku ganezët humbën një 11-metërsh me Ayew të ndalur nga portieri, ndërsa menjëherë më pas Suarez goditi portën dhe topi i kthyer në kokën e De Arrascaetas përfundoi në rrjetë. Gol që zhbllokoi ndeshjen e skuadrës së Uruguait që nuk zhgënjeu dhe mori kontrollin e sfidës delikate duke shënuar me të njëjtin autor edhe pak minuta më vonë.