Politika Meta dekreton ndryshimet në Kodin Penal: Nisma duhej mbështetur

Meta dekreton ndryshimet në Kodin Penal: Nisma duhej mbështetur

Presidenti i Republikës, Ilir Meta njoftoi se ka dekretuar ndryshimet e miratuara në Kuvend të Kodit Penal, të detyruara nga pandemia e koronavirusit që ka përfshirë vendin.

Kreu i Shtetit deklaroi se vlerësoi se duhej mbështetur kjo iniciativë e qeverisë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe se drafti final i miratuar ka shumë ndryshime thelbësore ku u përfshinë dhe shqetësimet e presidentit, Avokatit të Popullit dhe shoqërisë civile.

“Si president, në mbështetje të Kushtetutës kam dekretuar sot shpalljen e ligjit për Kodin Penal të ndryshuar, të miratuar së fundmi në Kuvend. U mendua e nevojshme në situatën e pandemisë që po kalon vendi ynë, pasi situata është paparashikueshme. Kam ndjekur shqetësimet e ndryshme për këto ndryshime. Institucioni iu përgjigj kërkesës për bashkëpunim të qeverisë dhe Kuvendit. Diskutimi i gjerë ka sjellë përmirësime të produktit final që miratoi Kuvendi. Presidenti vlerëson se iniciativa e qeverisë dhe Kuvendit duhet mbështetur. Mes draftit të miratuar në komisione dhe atij final të miratuar në Kuvend, ka shumë ndryshime ku janë përfshirë dhe shqetësimet e presidentit, Avokatit të Popullit dhe shoqërisë civile”, u shpreh presidenti Meta.