Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka zbuluar ndryshimet që do të ndodhin në strukturën e kësaj force politike, ku nuk do të ketë kryetar, por president. Krahun e djathtë të tij, Ilir Meta, ka zgjedhur Erisa Xhixhon, në postin e zv.presidentes. Meta tha se ka ardhur koha që t’i jepet fund kakofonisë në drejtim, duke hequr postin e nënkryetarëve.
“Partia e Lirisë nuk mund të vazhdojë me këtë lidership kakofonik, pra me shumë nënkryetarë, ku përgjegjësitë nuk mbahen në mënyrë të qartë, na duhet një kryesi që merr vendime, që mblidhet shpejt dhe reagon shpejt. Nuk do të ketë më kryetarë në vlerësimin tim, se do ta marrë Konventa vendimin, do të ketë president.
Ftoj cilindo kolege dhe kolegë që të kandidojë për këtë detyrë të re. Do të ketë vetëm një zëvendëspresident, dhe në vlerësimin tim, do të jetë zëvendëspresidente, dhe kandidatja e kandidatit për president, është Erisa Xhixho, që e njohin të gjithë të rinjtë dhe të rejat.
Por ka një problem, se të gjithë e dinë që është 17 vjeçe, përveçse është e papërtuar kudo, ajo është dhe nënë e dy fëmijëve të mrekullueshëm. E falenderoj Erisën, dhe besoj shumë se ajo do të vazhdojë të shkëlqejë. I vetmi kandidat për postin e sekretarit të përgjithshëm është korçar-kolonjari Tedi Blushi”, tha Meta.
Ish-presidenti vijoi akuzat për tradhtarët brenda partisë.
“Ka shumë njerëz dhe në këtë seli që flasin kundër Tedi Blushit, hallet e atyre që flasin për Tedin po shtrëngohen. Këta nuk e kanë me Tedin, por e kanë me Ilir Metën, duan që partia e Lirisë të jetë një parti e kapur nga shteti. Hitleri thoshte se kur të shkon në Moskë Stalinin do ta vras të dytin, të parin do vras gazetarin e Radio Moskës. Pse duan të na e vrasin këta Tedin? Se Tedi nuk ka firmosur për lobime, as ka qenë ministër, Tedi mëson nga gabimet, dhe mbi të gjitha është patriot. Ilir Meta ka nevojë për njerëz patriotë, dhe jo për çimkaxhinjë dhe çimkaxheshka”, tha Meta.
Ai tha se nëse nuk do ishin djegur mandatet, Partia e Lirisë do të ishte “forcë e parë, forcë e paparë”. Konventa e Lirisë do të mbahet më 27 prill.