Aktualitet Dy prokuroritë që “punuan më fort” gjatë 2023-it, kryeprokurori Çela: U përgjuan...

Dy prokuroritë që “punuan më fort” gjatë 2023-it, kryeprokurori Çela: U përgjuan 2492 subjekte! Kemi mungesë prokurorësh

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka raportuar sot në KLP, për vitin 2023. Ai theksoi se si pasojë e Hartës së Re Gjyqësore është reduktuar numri i prokurorëve, me vetëm 198 në total.

Çela gjatë raportimit para Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka bërë me dije se janë përgjuar nga prokuroria 2492 persona, në kuadër të hetimeve paraprake.

“Gjatë vitit 2023, është përdorur përgjimi i komunikimeve elektronike nga prokurorët në fazën e hetimeve paraprake si mjet për sigurimin e provës në 514 procedime penale. Është realizuar përgjimi për 2675 pajisje fundore në përdorim të 2492 subjekteve ndaj të cilëve ishte lejuar përgjimi. Në total janë ekzekutuar 1121 vendime për përgjime të autorizuara nga gjykata dhe 456 urdhra/autorizime të prokurorit”, tha Çela.

Ai vuri theksin edhe te mungesa e prokurorëve.

“Në vitin 2023, numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 198 (përfshirë dhe emërimet në korrik të 26 magjistratëve të rinj). Ky tregues evidenton strukturën faktike me 62% të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 38% të numrit të prokurorëve. Në këtë vështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: – 177  prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 101 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik (64% e strukturës organike); 10 prokurorë në prokurorinë pranë Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ose 16 prokurorë më pak, krahasuar me numrin organik (38 % e strukturës organike) dhe 11 prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 6 prokurorë më pak se numri organik (65% e strukturës organike)”, tha Çela.

Në total, gjatë 2023, Çela tha se janë trajtuar 55 mijë e 253 kallëzime, 9.4% më pak se në 2022.

Teksa u ndal te gjendja e kriminalitetit në vend, ai dha shifrat sa i takon kallëzimeve apo procedimeve penale. Gjatë vitit që lamë pas, ka pasur një ulje me 9.4% të materialeve kallëzuese krahasuar me 2022-in. Po ashtu janë ulur ndjeshëm edhe procedimet penale.

11401 të pandehur për një vit, për 9652 çështje të dërguara në gjykatë. Edhe në këtë aspekt, sipas Prokurorit të Përgjithshëm vihet re një ulje, qoftë edhe në dhënien e dënimeve.

Duke analizuar 11 prokurori të vendit, Çela deklaroi se performancë të mirë pune kanë pasur ajo e Shkodrës dhe Kukësit. Këto të fundit kanë përfunduar mbi 65% të procedimeve.