Presidenti Ilir Meta doli këtë të enjte me një propozim të ri për kryeministrin Edi Rama në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe presidenciale, krahas atyre vendore të dekretuara prej tij me 13 Tetor.
Kreu i shtetit tha se është i gatshëm të largohet nga posti i Presidentit gjatë fushatës elektorale, me kusht që në karrigen e tij të ulet përkohësisht një njeri me integritet si ish-Presidenti Rexhep Mejdani.
“Presidenti është edhe më i hapur, sepse nuk ka frikë nga vota e qytetarëve shqiptarë. Që në rast se kërkon kryeministri të lërë edhe detyrën e Presidentit, gjithmonë duke konkurruar në 13 Tetor, përpara shqiptarëve, por vetëm një kusht, pra që të mos jetë President në fushatë, por me një kusht që në këtë zyrë të vijë një njeri me shumë integritet, i cili ka qenë në këtë zyrë dhe i cili ka provuar se mbrojtja e interesit kombëtar dhe publik është mbi çdo gjë tjetër dhe që nuk e ha shantazhin dhe presionin, siç është profesor Rexhep Mejdani. Kjo është tërësisht e zgjidhshme, nuk e kam biseduar me njeri, që jam i sigurt, se ato 2-3 çështje të rëndësisë kombëtare që trajtohen nga kjo zyrë, do t’i mbronte ndoshta edhe më mirë se unë.”
Meta tha se rezultati i 30 qershorit nuk është as i ligjshëm dhe as legjitim.
“Kështu që të mos bëjmë sikur nuk e shikojmë thellimin e krizës. Marrja e këtyre bashkive në këtë mënyrë nuk është as e ligjshme dhe as e legjitime. Nuk është e ligjshme sepse nuk ka patur zgjedhje të ligjshme, kushtetuese, shtetërore në 30 Qershor dhe nuk është as legjitime të marrësh bashkinë e Kavajës me 6 %, të Kamzës me 6% apo të Shkodrës më 7 %. Dhe të kesh kontrollin e të gjithë shërbimeve të bashkisë, të kesh të gjithë këshillin, kjo është skandaloze, sepse këtu bie totalisht sistemi i llogaridhënies në vend.”