Kryesore Meta: Nuk do të pranoj grushtin e shtetit. Zero mundësi që të...

Meta: Nuk do të pranoj grushtin e shtetit. Zero mundësi që të jap dorëheqjen

Presidenti Ilir Meta sulmoi edhe një herë kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, duke thënë se po vazhdon të mbajë funksionin edhe pse ndaj tij është ngritur një kallëzim dhe se po punon në kundërshtim me ligjin për të zënë një vend si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

“Ardian Dvoranit duhet t’i ndalohet menjëherë veprimtaria e organizuar kriminale, për vonimin e procesit të plotësimit të kësaj Gjykate, me qëllim që vendin e fundit vakant në të t’ia ruaj vetes”, tha Meta. “Dvorani ka shtrembëruar fakte dhe ka abuzuar me detyrën, me qëllim të qartë që në bashkëpunim me Kuvendin t’i rrëmbenin Presidentit kompetencën e emërimit të anëtarit të radhës të Gjykatës Kushtetuese”.

Meta tha se do të marrë pjesë vetë në mbledhjen e Komisionit të Venecias ku do të diskutohet mbi ligjin për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për të shpjeguar me detaje atë që ai e quan kapjen përfundimtare të drejtësisë nga socialistët.

“Rilindja është teatri dhe estrada numër 1 i këtij populli”, tha Meta. “Ky është ligji i “krye-KÇK”, është një përpjekje për ta nxirë fytyrën e Gjykatës Kushtetuese dhe gjithë besimin te drejtësia, pasi nuk duan që anëtarët të kalojnë nga dera e Presidencës dhe të shkojnë me dinjitet në detyrë, duan t’i fusin nga oxhaku i Gjykatës Kushtetuese”.

Ndjesë “Venecias”

Meta tha se “Kuvendi miratoi në mënyrën më të papërgjegjshme, më të pabesë dhe më të pamoralshme” vetëm disa orë para se të zhvillonte takimin me Komisionin e Venecias në datë 12 Shkurt projektligjin për disa ndryshime në ligjin për organizmin dhe funksionimin e organizmin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Metës, Kuvendi ndryshoi atë nen që priste të merrte përgjigje nga Komisioni i Venecias dhe miratimin e bëri në errësirë të plotë.

“Përmbajtja e ligjit të votuar me urgjencë nga parlamenti dhunon nenin 129 të Kushtetutë dhe të gjitha parimet themelore të Kushtetutës dhe ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Si Presidenti, si përfaqësues i unitetit të popullit i kërkoj ndjesë Komisionit të Venecias që u keqpërdor nga mazhoranca në funksion të mbulimit të realizimit final të grushtit të shtetit. I siguroj se Republika e Shqipërisë edhe pse po përjeton gjendjen më të rëndë të kapjes së shtetit nuk do të pranojë instalimin e grushtit të shtetit përmes shndërrimit të institucionit më të rëndësishëm të këtij shteti dhe vetë drejtësisë, gjykatës Kushtetuese në një polici antikushtetuese të shtetit PPP (Polic Parti Propagandë). Si president deklaroj se do të marr pjesë vetë në seancën plenare të Komisionit të Venecias ku do t’i njoh të gjithë të pranishmit dhe Europën me fakte edhe më të rënda se këto për përpjekjen për të realizuar një grusht shteti në këtë vend”, tha Meta.

“Zero mundësi për të dhënë dorëheqjen”

Presidenti tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht përplasjeve të vazhdueshme me shumicën socialiste. “Çdo ditë kem grusht shteti dhe shpopullim. Ka zero mundësi që për shkak të avancimit të grushtit të shtetit të tërhiqet nga detyra e tij për të mbrojtur shtetin e së drejtës”, tha Meta. “Përpjekja ishte që grushti i shtetit të realizohej që në kohën e votimit të Reformës në Drejtësi, që donin ta bënin duke blerë deputetë dhe shantazhe. Këtë nuk e arritën, por provuan pak e nga pak”.