Dy ditë pas ngjarjes së rëndë në Elbasan ku mbeti i varrë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë, mes tyre edhe një efektive policie, ka ardhur edhe qëndrimi zyrtar i presidentit të Republikës Ilir Meta, i cili atë ditë nuk dha qëndrime të qarta.
Në deklaratën e kreut të shtetit kërkohet urgjentisht zbardhja e ngjarjes në mënyrë objektive dhe jashtë ndikimeve politike. Ai ngre 11 pyetje në lidhje me ngjarjen duke e konsideruar ngjarjen më të rëndë që ka ndodhur në këtë proces zgjedhor, Meta thekson çdokush që ka shkelur ligjin, duhet të ndëshkohet tani dhe i bën thirrje
Deklarata e Presidentit:
Kam ndjekur me shumë vëmendje, veprimet dhe reagimin e organeve ligjzbatuese për hetimin e ngjarjes tragjike, që ndodhi dy ditë më parë në Elbasan dhe që meriton të zbardhet urgjentisht, objektivisht dhe jashtë ndikimeve politike.
Ende organi i Prokurorisë dhe strukturat e Policisë së Shtetit, nuk kanë dhënë një version të plotë zyrtar dhe shterues.
Janë disa pyetje, që kërkojnë përgjigje publike dhe të plota nga institucionet ligjzbatuese:
–A janë të përfshirë në këtë ngjarje, persona me precedentë penalë? Nëse po, cilët janë emrat e tyre si autorë të dyshuar për shkaktimin e saj? Përse Policia e Shtetit, nuk ka kryer ndalimin dhe shoqërimin e tyre?
–A janë këta persona të përfshirë në këtë ngjarje, të njëjtët që shoqëronin Kryeministrin më 14 mars, “Ditën e Verës”, dhe që ushtruan dhunë ndaj mbështetësve të opozitës?
–A ka marrë organi i Prokurorisë dhe Policia e Shtetit, dëshminë e oficerëve të lartë dhe punonjësve të Policisë, që kanë qenë të pranishëm në ngjarje?
– Përse punonjësit e Policisë të pranishëm në ngjarje nuk kanë reaguar, për të neutralizuar përplasjen me armë dhe ndaluar të gjithë personat e përfshirë?
–Pse u lejua largimi i personave të përfshirë nga vendi i krimit kur Policia ishte njoftuar dhe ishte aty?
–A ka qenë i mbuluar ambienti publik apo ambientet private me kamera të sigurisë? Nëse po, a është bërë kqyrja dhe sekuestrimi i menjëhershëm i materialit filmik në cilësinë e provës?
–Sa kohë u është dashur organeve të zbatimit të ligjit të mbledhin këto materiale filmike?
–Nëse ka patur zvarritje, cilët janë përgjegjësit? Mos u është lënë kohë për të fshirë pamjet?
– Vonesa të tilla, a janë tregues i mosveprimit me dashje nga ana e strukturave të veçanta brenda Policisë së Shtetit, për t`i lënë kohë personave përgjegjës të zhdukin çdo provë që bën të mundur zbardhjen e dinamikës së vërtetë të ngjarjes dhe përgjegjësinë e çdo individi të përfshirë në këtë konflikt tragjik?
–A është Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në konflikt interesi, për kryerjen e këtyre hetimeve?
–A duhet Prokuroria e Posaçme (SPAK), të fillojë hetimet, pasi në këtë ngjarje mund të jenë të përfshirë edhe funksionarë të lartë të shtetit dhe deputetë?
Zoti Prokuror i Përgjithshëm, Zoti Drejtues i Prokurorisë SPAK, Zoti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,
Në Republikën e Shqipërisë, të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe duhet të japin llogari përpara tij!
Ndaj, me shumë përgjegjshmëri, ju kërkoj:
Të veproni menjëherë për të zbardhur ngjarjen dhe përgjegjësinë e çdo individi të përfshirë në të!
Kjo është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në këtë proces zgjedhor.
Çdo zvarritje, mosveprim, apo dëmtim i provave për këtë ngjarje, frymëzon më shumë elementët kriminalë në cenimin e procesit zgjedhor.
Vota e lirë dhe e ndershme dhe legjitimiteti i zgjedhjeve të 25 prillit nuk duhet të rrezikohet më tej nga këto fenomene!
Çdokush që ka shkelur ligjin, duhet të ndëshkohet tani!
Ju keni përgjegjësinë e plotë përpara popullit dhe ligjit për ta realizuar atë tani!