Presidenti Ilir Meta, në një postim në rrjetet sociale, i bën thirrje shqiptarëve që të zgjohen për të kuptuar që beteja për Gjykatën Kushtetuese është e rëndësishme për të ardhmen e demokracisë dhe për vetë ekzistencën e shtetit. Sipas kreut të shtetit, vendi rrezikohet nga organizata në pushtet e rilindjes, e cila ka në program instalimin e një regjimi satrap. Madje ai thotë se ajo është pjesë e një organizate ndërkombëtare që lakmon Shqipërinë.
“Zgjohuni për të kuptuar se beteja për Gjykatën Kushtetuese është një betejë vendimtare për secilin prej jush dhe jo vetëm për të ardhmen e demokracisë, por dhe për vetë ekzistencën e shtetit dhe të kombit tonë që janë më të rrezikuar se kurrë nga kjo organizatë mafioze në pushtet, celulë lokale e një organizate ndërkombëtare që lakmon territorin tonë, mjaft strategjik nga ana gjeopolitike edhe për shumë veprimtari kriminale me përfitime të jashtëzakonshme. Kjo është një organizatë mjaft e strukturuar, me një program të qartë të instalimit të një regjimi satrap që dhunon çdo ditë të drejtat e shqiptarëve dhe që përmes kapjes mafioze të Gjykatës Kushtetuese synon t’i asgjesojë të drejtat demokratike dhe legjitime të tyre përgjithmonë duke i vendosur vetëm përballë dy zgjedhjeve: nënshtrimit pa kushte ose shpopullimit. Por jo vetëm kaq. Me rrëmbimin mafioz të Gjykatës Kushtetuese synohet dorëzimi de facto i sovranitetit dhe integritetit të vendit në duart e organizatës ndërkombëtare”.
Prandaj Meta thotë se kjo betejë nuk është mes Presidentit dhe mazhorancës për vendet anëtare të Gjykatës Kushtetuese, por për të mos lejuar instalimin e një junte policore. Edhe njëherë ai ftoi qytetarët të dalin më 2 Mars në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Duhet të kuptoni se kjo nuk është një betejë kompetencash midis Presidentit dhe mazhorancës për disa vende pune në Gjykatën Kushtetuese, por një betejë për të mos lejuar instalimin e një junte policore ku dhe vetë Gjykata Kushtetuese do të ishte de facto Policia anti-kushtetuese, përmes se cilës do realizohej ekzekutimi përfundimtar i Kushtetutës dhe i të drejtave kushtetuese të qytetarëve tanë.
Ndaj në 2 Mars çdo qytetar është i ftuar të vijë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’i treguar kësaj organizate mafioze se durimi ka kapërcyer çdo kufi dhe se mbrojtja e Gjykatës Kushtetuese është vija e kuqe e çdo shqiptari të ndershëm dhe të përgjegjshëm që mbron të ardhmen e tij dhe të fëmijëve në këtë vend, nga instalimi i plotë i një tiranie anti-kombëtare siç e shikoni çdo ditë”, shkruan Meta në Facebook.