Kreu i shtetit, Ilir Meta po ndjek nga afër situatën e tërmetit në Shqipëri. Në një prononcim për mediat nga Thumana ai ka deklaruar se situata është mjaft dramatike.
“Po bëhet çdo përpjekje për të nxjerre banorët nga rrënojat“, tha Meta.
Ndwrsa mëngjesin e sotëm, Meta ishte edhe në spitalin e Traumës, ku po marrin ndihmën me dhjetëra persona të lënduar nga tërmeti i fuqishëm.
Ai u shpreh se Shqipëria është e goditur rëndë, ndërsa tha se e ka paralajmëruar rrezikun e goditjes së Shqipërisë nga tërmete serioze.
“Është e domosdoshme të kemi sa më shpejt një evidentim të gjithë situatës në terren pasi duket që ka lëndime të jashtëzakonshme. Shpresojmë të mos ketë viktima, pasi ka edhe të plagosur që janë në gjendje të rëndë. Të verifikohet nëse ka qytetarë që kërkojnë ndihmë. Dua të falënderoj personelin mjekësor këtu që është në gatishmëri të plotë. Të gjithë duhet të bëjmë detyrën, pasi Shqipëria është e tronditur shumë rëndë.
E kam paralajmëruar prej kohësh rrezikun e goditjes së Shqipërisë nga tërmete serioze, por sot është e rëndësishme të jemi në ato zona ku janë shembur godinat dhe të sqarojmë nëse ka njerëz që kanë nevojë për ndihmë”, tha Meta.