Presidenti i Republikës, Ilir Meta i bën apel jo vetëm shoqërisë, por edhe klasës politike për nevojën e krijimit të një klime të re të dëgjimit të njëri-tjetrit, për të qenë të hapur ndaj mendimit kritik.
Presidenti, përmes një statusi në profilin e tij në “Facebook” shprehet se politikanët duhet të jenë të hapur ndaj mendimeve kritike në mënyrë që shoqëria shqiptare të reflektojë e reformohet vazhdimisht.
“E kemi të domosdoshme të krijojmë një klimë të re të dëgjimit të njëri-tjetrit, jo vetëm në mjediset universitare e shoqërore, por edhe në ato politike, duke qenë gjithnjë të hapur ndaj mendimit kritik dhe përmirësues, në mënyrë që shoqëria jonë të reflektojë dhe të reformohet vazhdimisht”, shkruan Meta.
Apeli i Metës vjen një ditë para protestës së opozitës para Kryeministrisë. Opozita kërkon largimin e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeveri kalimtare që të përgatisë zgjedhjet e parakohshme.
Por kreu i qeverisë këmbëngul se zgjedhje para vitit 2021 kur mbaron mandati i shumicës nuk ka për të pasur. Ndërkombëtarët kanë dënuar djegien e mandateve nga opozita, ndërsa shumicën e kanë cilësuar legjitime.