Presidenti Ilir Meta ka bërë tjetër reagim në lidhje me incidentet e dhunshme në protestën e opozitës, zhvilluar mbrëmjen e sotme.
Reagimi i presidentit Meta vjen pas dhunimit dhe arrestimit të Sekretarit Organizativ të PD-së, Sahit Dollapi.
“Situata para Drejtorisë së Policisë është absurde. Sahit Dollapi duhet të shoqërohet për në spital për të marrë ndihmën e parë për lëndimet dhe jo të mbahet në polici”, – thotë Presidenti.
Meta u bën thirrrje sërish të gjithë individëve që të distancohen nga aktet e dhunës. Gjithashtu ai i ka bërë thirrje edhe Policisë së Shtetit që të ruajë sipas tij qetësinë dhe të evitojë përdorimin e panevojshëm të dhunës ndaj protestuesve.
“I bëj thirrje sërish të gjithë individëve që të distancohen nga aktet e dhunës dhe Policisë së Shtetit të ruajë qetësinë dhe të evitojë përdorimin e panevojshëm të dhunës ndaj protestuesve”.
Edhe kryeministri Edi Rama reagoi sërish në Twitter, duke shprehur respekt ndaj forcave të rendit që sipas tij me profesionalizmin e tyre nderuan uniformën e shtetit.
“Respekt për trupat e Policisë së Shtetit që me profesionalizmin e tyre nderuan uniformën e shtetit përballë një turme të udhëhequr nga dëshpërimi i politikës qorre. Shërim të shpejtë për policët e plagosur dhe ndëshkim për dhunuesit e tyre e për zjarrvënësit e institucioneve”, shkruan Rama.