Presidenti Ilir Meta thekson se këmbëngulja e mazhorancës për të votuar më 30 korrik ndryshimet kushtetuese, e dëmton stabilitetin dhe rrugën europiane të Shqipërisë.
Në një postim në Facebook, kreu i shtetit përsërit qëndrimin e tij se e vetmja rrugë që e afron Shqipërinë me BE është dialogu politik dhe i hapur mes partive politike, duke shtuar se ruajtja e frymës dhe rezultateve të marrëveshjes së 5 qershorit ka shumë rëndësi për hapjen e negociatave.
Meta i bën thirrje PS që të heqë dorë nga “ndryshimi i njëanshëm dhe pa gjithëpërfshirje i Kushtetutës”, ndërsa thotë se është koha që të tregojë maturi.
“I bëj thirrje Partisë Socialiste, si forcë politike me kontribute në procesin e integrimit, që të heqë dorë nga ndryshimi i njëanshëm dhe pa gjithëpërfshirje i Kushtetutës. Është koha të tregojë maturinë që e ka karakterizuar në të shkuarën dhe të vendosë të parin interesin e Shqipërisë. Data 30 Korrik nuk është e lidhur me asnjë interes të Shqipërisë. 30 Korriku duhet të anullohet, për t’i hapur rrugë një procesi gjithpërfshirës dhe konsensual të reformimit të rregullave zgjedhore. Në tre dekada pluralizëm, Partia Socialiste, meritën më pozitive ka lidershipin që tregoi për bërjen e vendit me Kushtetutë moderne përmes një procesi gjithëpërfshirës që u finalizua me Referendum Popullor, edhe pse atë kohë kishte mbi 2/3 e Kuvendit.”
Mes të tjerash, ai i bëri apel edhe opozitës së bashkuar që të vazhdojë me këmbëngulje dhe pa u tërhequr, përpjekjet për arritjen e një produkti konsensual, në emër të integrimit europian.
“Hapi i hedhur të premten, nëpërmjet një propozimi për konsensus, duhet të jetë rruga për të ecur përpara, me qëllim gjetjen e pikave që i bashkojnë palët. Historia ka treguar se aktet e njëanshme dhe të nxituara, kokëfortësia, interesi momental politik, mungesa e kulturës së konsensusit dhe dialogut mes palëve, kanë dëmtuar Shqipërinë dhe shqiptarët për një kohë të gjatë. Ky gabim nuk duhet të përsëritet. Për këtë arsye, ripërsëris thirrjen që të gjitha palët të vijojnë punën në mirëbesim në Këshillin Politik, pa shtrëngim kohor, me objektivin e vetëm të gjetjes së konsensusit mes tyre. Është tërësisht e mundshme që të arrihet një produkt i përbashkët dhe i dakordësuar nga të gjithë. Kushtetuta nuk mund të ndryshohet pa konsensus mes të gjitha partive kryesore politike në vend. Koha për të punuar për Shqipërinë në Europë është tani! Askush nuk duhet ta dëmtojë këtë moment të rëndësishëm për Shqipërinë!”