Merkatoja e verës në Serinë A po mbyllet me Milanin protagonist, që deri më tani ka bërë 11 blerje, duke afruar lojtarë që i garantojnë trajnerit Montella të duelojë për titull. Ose të paktën të sulmojë zonën e Champions League.
Pikërisht kapja e Champions do të jetë objektivi minimal për skuadrën kuqezi, gjë e cila konfirmohet nga Marco Fassone, njeriu i merkatos së Milanit.
“Po punojmë që tani për të mbushur arkën pas shpenzimeve dhe besoj se brenda fillimit të 2018-ës do të arrijmë të respektojmë “fair play financiar”. Aktualisht kemi shpenzuar 120 milionë euro, një shumë e madhe, por jo e tmerrshme”, tha Fassone.
“Ne shpresojmë që projekti që kemi nisur të ketë sukses, ndërkohë që i kemi prezantuar UEFA-s një plan A dhe B në rast se dështojmë. Objektivi do të jetë kualifikimi në Champions League, por edhe nëse nuk arrijmë kjo nuk do të jetë një dramë. Në këtë rast, investimi që do të bëjmë pas një viti do të jetë më i ulët dhe do të largojmë një apo dy lojtarë “big”.
E përsëris, ne synojmë një vend në Champions League, por shohim edhe rastin më të keq, në mënyrë që të sigurojmë një Milan të shëndoshë financiarisht në të ardhmen”, u shpreh Fassone.