Megjithë provat e shumta, mostrat e pluhurit dhe gurëve, pamjet filmike dhe qindra mijëra njerëzit që punuan për ta realizuar këtë projekt, sondazhet tregojnë se rreth 6% e amerikanëve besojnë se astronautët nuk zbritën kurrë në Hënë.
Teoricienët konspirativë vazhdojnë të këmbëngulin se i gjithë misioni i 50 viteve më parë ishte një mashtrim i mirëmenduar, i prodhuar në bazën e forcave ajrore “Zona 51” në shtetin Nevada, ose i prodhuar në një skenë filmash hollivudianë nga regjisori legjendar Stanley Kubrick.
Thashethemet u shfaqën fillimisht vetëm një vit pas zbritjes së parë në Hënë, në një periudhë kur Lufta e Vietnamit i shtyu shumë amerikanë të vinin në pikëpyetje qeverisjen e tyre.
Një anketim i vitit 1970 tregoi se 30% e amerikanëve e konsideronin misionin Apollo 11 një sajesë. Kjo shifër vazhdoi të qëndrojë relativisht e lartë gjatë gjithë dekadës ’70-të, ndërsa u publikuan disa libra dhe në vitin 1978 edhe një film për një mision të rremë drejt Marsit. Filmi i quajtur “Capricorn One”, bindi shumë njerëz se edhe zbritja në Hënë ishte një skenar i parapërgatitur me improvizime të teknologjisë së lartë.
Art Harmon, ish-drejtor legjislativ në Dhomën e Përfaqësuesve, drejton aktualisht Koalicionin për të Shpëtuar Eksplorimin e Hapësirës me Ekuipazh.
Ai i përshkruan me dy fjalë teoricienët konspirativë që thonë se njeriu nuk shkeli kurrë në Hënë – “absolutisht të krisur”.
“Ata krijojnë thjesht telashe. Ka gjithnjë njerëz që do të thonë ‘kjo gjë nuk ndodhi kurrë’ apo ‘ajo gjë nuk ndodhi ndonjëherë’. Ata vetëm sa përpiqen të përçajnë njerëzit. Ne shkuam atje (në Hënë)”, thotë zoti Harmon.
Por, ata që këmbëngulin se Shtetet e Bashkuara nuk dërguan astronautë në Hënë, kanë mbledhur “evidencat” e tyre për zbritjen false.
Ata ngrenë pikëpyetje përse flamuri që astronauti Neil Armstrong vendosi në Hënë dukej se valëvitej, ndërkohë që në Hënë mungon ajri. Në realitet, astronautët përthyen kornizën metalike që mbante flamurin, duke shkaktuar kështu edhe valëzimin.
Mbështetësit e teorive të konspiracionit pretendojnë se fotot që shkrepën astronautët në Hënë nuk përmbajnë yje në sfond. Në realitet, kamerat e tyre nuk ishin në gjendje të kapnin ndriçimin e lehtë që lëshohet prej yjeve.
Ata gjithashtu pyesin se nëse ulja në Hënë do të kishte qenë e vërtetë, atëherë përse gjatë uljes nuk u ngrit pluhur? Në realitet, pajisja ulëse zhvendosej horizontalisht gjatë pjesës më të madhe dhe motorët shtytës nuk ishin drejtuar vertikalisht. Gjithashtu, radiacioni i Diellit e rëndon pluhurin duke e ngjitur kështu më shumë pas sipërfaqes së Hënës.
Çdo pretendim se nuk ndodhi zbarkimi në Hënë mund të kundërshtohet lehtësisht nga shkenca, fizika apo evidenca e sjellë në Tokë, thotë zoti Harmon. Ai shton se teoritë e konspiracionit “janë një ofendim për 400 mijë amerikanët që punuan për të dërguar misionin në Hënë dhe për të siguruar kthimin në Tokë”.
Ata qindra mijëra shkencëtarë, inxhinierë dhe punëtorë janë tashmë të shpërndarë nëpër botë.
Njëri prej astronautëve që eci në sipërfaqen e Hënës në vitin 1969 nuk tregon tolerancë për ata që e konsiderojnë një sajesë.
Kur njëri prej promovuesve të teorisë së konspiracionit e sfidoi astronautin Buzz Aldrin dhe e quajti gënjeshtar, ai iu përgjigj duke e goditur me grusht në fytyrë./VOA