Ekonomi Ministrja Krifca me homologun italian: Programe të përbashkëta eksporti me eksperiencën italiane

Ministrja Krifca me homologun italian: Programe të përbashkëta eksporti me eksperiencën italiane

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca zhvilloi një takim me homologun e saj italian, ministrin e Bujqësisë, Sovranitetit Ushqimor dhe Pylltarisë të Republikës së Italisë, Francesco Lollobrigida, i cili zhvilloi sot një vizitë pune në Tiranë.

Forcimi i bashkëpunimit sa i takon ekspertizës italiane për bujqësinë shqiptare, rritjen e eksporteve dhe garantimin e tregjeve për produktet e certifikuara të origjinës ishin disa nga temat e trajtuara në takimin dypalësh.

Gjatë takimit të sotëm dypalësh në MBZHR, Krifca theksoi se Italia në 30 vitet e fundit ka qenë një prej vitrinave më të rëndësishme në transferimin teknologjik dhe të dijebërjes në pothuaj të gjithë sektorët e ekonomisë së vendit por në mënyrë të veçantë në bujqësi.

Krifca theksoi se bujqësia shqiptare nuk është ajo e 30 viteve më parë, as ajo e 10 viteve më parë, duke u ndaluar në zhvillimet kryesore të sektorit.

“Bujqësia shqiptare nuk është më një bujqësi e mbijetesës, e cila prodhon për familjen dhe vetëm tepricat i çon në treg, dhe që importon 8 lekë për një lek të eksportuar, siç ndodhte një dekadë më parë (2010). Fruta-perime kemi eksportuar në total 242 mijë tonë me rritje 10.3 % nga 2021 ndërsa në vlerë rritje me 27.3 % rritje nga 2021. Ndërsa importet ishin 3,2 % në sasi dhe 2.6 % rritje në vlerë”, theksoi ajo.

“Bujqësia eksporton (së bashku me agropërpunimin dhe peshkimin) mbi 66 % të volumit të sasisë së eksporteve dhe 43 % të vlerës së eksporteve totale që Shqipëria realizon. Fakt është që jemi një eksportues i rëndësishëm rajonal i produkteve të freskëta tashmë me më shumë se 500 milionë dollarë eksporte për vitin 2022, duke përmbushur ritmin e rritjes së vendosur si objektiv madhor, atë të 1 miliard dollarë eksporte në vitin 2030. Sot kemi të shpërndarë në të gjithë vendin një rrjet prej më shumë se 400 pika grumbullimi, të cilat drejtojnë produktet tona të freskëta apo të përpunuar në më shumë se 82 destinacione në botë”, vijoi Krifca.

Duke u ndalur tek marrëdhëniet tregtare me Italinë, Krifca vuri në dukje se nëse në vitin 2005 ne importonim nga Italia më shumë se 22 kg produkte bujqësore për 1 kg produkte të eksportuara; në vitin 2022, pothuaj njëzet vjet më vonë, ky raport ka rënë në 1 me 4.

Krifca u ndal edhe tek roli i partnerëve italianë në këto zhvillime, duke e cilësuar shumë të rëndësishëm. Ajo përmendi në takim vetëm disa prej bashkëpunimeve të fundit, ku veçoi se janë 20 milionë euro (9.5 milionë grante, 10 milionë kredi) në 10 vitet e fundit dhe 2 herë më shumë parashikuar në vitet në vijim.

Si projekte të parashikuara Krifca theksoi se, “janë projekti për përmirësimin e standardeve të sigurisë ushqimore në zinxhirin e prodhimit të produkteve tipike lokale shqiptare, me vlerë 3 milionë euro, që do të na ndihmojë të përafrojmë kuadrin rregullues të kapitujve 11 dhe 12 me synimin për të hapur tregjet evropiane për produktet tipike shqiptare, ashtu si ju keni bërë për produktet tuaja “Made in Italy””.

Gjithashtu vuri në dukje ministrja, vazhdimi i projektit Ekonomia Blu, i cili është në hapat e fundit të miratimit dhe që synon të vazhdojnë ndërhyrjet si në infrastrukturën portuale, ashtu edhe në flotën e peshkimit për të rritur sigurinë e sektorit qëndrueshmërinë e tij dhe uljen e ndikimit në mjedis.

Krifca, në fund të fjalës së saj në takimin dypalësh me ministrin Lollobrigida, parashtroi si kërkesa për të ardhmen nxitjen e eksporteve jo vetëm në terma të prodhimit të më shumë produkteve në sasi, por edhe në terma të produkteve që kanë siguri ushqimore më të lartë.

“Ne kemi ndërtuar një trupë prej 1000 inspektorësh të Autoritetit Kombëtar të AKU, AKVMB apo specialistë të ISUV, por përsëri kemi nevojë për rritjen e kapaciteteve njerëzore si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë rajonal. Zhvillimi i eksporteve ka si nevojë që të mbështetet nga një nivel këshillimi i cili drejton prodhimin jo vetëm drejt tregjeve të reja por edhe me anë të produkteve të reja konkurruese. Produkte tona të cilat kanë nevojë për përmirësim e cilësisë dhe forcimin e zinxhirit të vlerës si vaji i ullirit dhe produkteve të verës”, tha Krifca.

Ministrja deklaroi se, bashkërendim i përpjekjeve tona për të rritur cilësinë duke përdorur teknologjinë më të mirë italiane në këtë fushë që mund të vihet në dispozicion nga operatorët italianë, që ky produkt cilësor t’i drejtohet tregjeve italiane.

“Zhvillimi i zinxhirëve të qëndrueshëm të vlerës dhe zhvillimit të bujqësisë organike jo vetëm si një detyrim që lind nga strategjia e BE, por edhe si një nga instrumentet më të rëndësishëm që ka fermeri shqiptar për të rritur nivelin e të ardhurave për njësinë e tokës. Rritja e qëndrueshmërisë të produkteve ushqimore përmes krijimit të një banke ushqimore që zgjat qëndrueshmërinë e produkteve, dhe mbështetja përmes incentivave fiskale. Ne kërkojmë mbështetjen tuaj për ecjen përpara në procesin e zhvillimit dhe certifikimit të produkteve tipike bujqësore dhe të përpunuara shqiptare. Të dhënat tona tregojnë se produktet e certifikuara përfitojnë nga një çmim 30-50 % më të lartë se produktet gjenerike. IAM Bari i cili ka qenë një ndër përfaqësuesit më të rëndësishëm të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Italisë në 30 vitet e fundit. Unë besoj se do të kemi edhe ndihmën tuaj për të forcuar akoma më shumë rolin e IAM Bari në Shqipëri si enë transmetuese e bashkëpunimit midis dy vendeve tona”, u shpreh Krifca.

Nga ana e tij ministri i Bujqësisë, Sovranitetit Ushqimor dhe Pylltarisë të Republikës së Italisë, Francesco Lollobrigida, u shpreh optimist për bashkëpunimin mes dy qeverive, teksa vlerësoi sektorët e bujqësisë, agrobiznesit dhe peshkimin me potencial të madh dhe interes reciprok bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Jemi takuar në dhjetorin e vitit të kaluar me ministren Krifca. Me iniciativën e saj diskutuam mbi nevojat që ka vendi dhe mundësitë për rritjen e eksporteve dhe për të thelluar bashkëpunimin për të shkëmbyer eksperiencën tonë me sipërmarrjet shqiptare, por edhe për të gjetur rrugët e zhvillimit të bizneseve tona”, tha ministri Lollobrigida.

“Qeveria Meloni mban premtimet”, tha ai, teksa solli në vëmendje takimin e kryeministrit Rama me kryeministren italiane Meloni për forcimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.

“Cilësia duhet të jetë përgjigja për sigurinë e produkteve ushqimore. Të zhvillojmë produktet italiane, shqiptare dhe italo shqiptare. Një produkt pëson rritje cilësore dhe vlerë të shtuar nëse ndiqet nga një ekspertizë e caktuar dhe i bashkangjitet markave të njohura dhe me reputacion pozitive”, u shpreh Lollobrigida, duke garantuar bashkëpunimin me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.