Tekstet shkollore për mësimin parauniversitar do të rishikohen nga e para.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Evis Kushi, e cila gjatë një takimi sot me mësuesit për buxhetin e arsimit për vitin 2022, tha se pavarësisht që librat shkollorë sot janë më cilësorë, kanë nevojë për rishikim dhe ka nisur puna për këtë proces.
“Prej vitit të ardhshëm të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e tretë do t’i kenë tekstet falas vetëm me një përdorim. Por edhe këtu pavarësisht se tekstet që kemi sot të përkthyera nga Oxford, Cambridge dhe Pearson, janë shumë herë më cilësore se sa tekstet që kishim deri dje, ne përsëri jemi plotësisht të vetëdijshëm që ka nevojë për shumë përmirësime.
Prandaj kemi filluar nga puna për të rishikuar në detaje të gjitha tekstet shkollore të arsimit parauniversitar, për të korrigjuar çdo pasaktësi apo çdo pasqyrim jo të përshtatshëm të realitetit. E pse jo nëse është e nevojshme, të ngremë në një nivel edhe më të lartë të gjithë programin tonë, për të mirën e nxënësve por edhe për ta bërë më të lehtë punën tuaj të dashur mësues. Dhe paralelisht me këtë, me një buxhet prej 20 milionë Lekësh, ne do ta vazhdojmë pasurimin e fondit të bibliotekave në shkollat tona me literaturë shkencore dhe artistike të rekomanduar nga ekspertë të pavarur të fushave”, deklaroi ministrja Kushi.