Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka folur sot mbi ecurinë e mësimit online, ndërsa ka përsëritur edhe njëherë tjetër se provimet e maturës do të mbahen.
“Unë besoj se tashmë jemi qartësuar të gjithë se provimet do të mbahen. E vetmja arsye që do të bënte të mos mbaheshin provimet është nëse qëndrojmë të izoluar deri në qershor apo korrik. Kjo nuk e besoj se do të ndodhë, por edhe nëse ndodh, atëherë do të marrim një vendim tjetër. Deri atëherë, duhet të llogarisim se provimet kombëtare do të bëhen. Ne thjesht do të sigurohemi që temat të cilat nuk jemi të sigurtë se janë zhvilluar aq sa duhet në kushte shtëpie të mos jenë të vendosura në formë pyetjesh në testin kombëtar”, sqaron ministrja Shahini dhe shton se:
“Kështu që maturantët besoj se po e kalojnë këtë kohë duke mësuar, duke thelluar njohuritë e tyre në temat që do të pyeten për provimet kombëtare, duke ushtruar pyetjet e ndryshme që janë në dispozicion tek website-i i Qendrës që Shërbimeve Arsimore – pyetje nga provimet e mëparshme të maturës, të cilat japin një orientim se çfarë lloj pyetjesh mund të kenë në provimin e maturës”.
Më tej, Shahini tha se po shqyrtohet mënyra për ta zbatuar në nivel shkolle unifikimin e platformave të përdorura.
“Do të vazhdojmë të xhirojmë dhe transmetojmë leksione të arsimit parauniversitar në RTSH, si dhe mësuesit përmes platformave të ndryshme po rrinë në kontakt me nxënësit e tyre dhe po zhvillojnë për aq sa është e mundur mësimin në kushte shtëpie”, fillon mesazhin e saj në komunikimin e radhës Ministrja Besa Shahini ndërsa u jep përgjigje në vijim edhe disa prej pyetjeve të ardhura.
Pyetje e ngritur shpesh nga prindërit është se “pse nuk po unifikohen platformat që po përdorin mësuesit për të komunikuar me nxënësit e tyre?”. Në lidhje me këtë çështje, Ministrja Shahini përgjigjet: “Kjo është një ide e mirë dhe po e shqyrtojmë mënyrën më të mirë që ta zbatojmë në nivel shkolle. Pra, t’i nxisim drejtorët e shkollave që të punojnë me të gjithë mësuesit dhe t’i orientojnë ata drejt një platforme të vetme, në mënyrë që një nxënës në klasë të shtatë, i cili punon me disa mësues të lëndëve të ndryshme, mos të ketë nevojë të kalojë nga një platformë tek tjetra, por të punojë me një platformë të vetme”.