Nuk dihet çfarë ka ndodhur ekzaktësisht në ujërat e thella të Arktikut, më datë 1 korrik, por është diçka që ka shtrënguar presidentin rus Vladimir Putin të anulojë çdo takim zyrtar, dhe zëvendës presidentin amerikan Mike Pence të kthehet urgjentisht në Uashington.
Zyrtarisht, një nëndetëse e vogël eksperimentale u përfshi nga një zjarr nga tymi i të cilit u asfiksuan duke ndërruar jetë 14 pjesëtarë të ekuipazhit.
Një tragjedi, por jo e mjaftueshme që zëvendës shefi i shtabit të forcave të armatosura ruse, Serghej Pavlov, të deklaronte gjatë homazheve që “me heroizmin e tyre, ata kanë shmangur një katastrofë planetare”. Në një vend si Rusia ku çdo fjalë zyrtare peshohet dhjetëra herë, hipotezat për shkaqet dhe dinamikat e ngjarjes marrin konturet e një romani spiunazhi.
Pak dihet nga mjeti i aksidentuar, i quajtur AS-21 Losharik, mjet me propulsion atomik që mban 25 veta, i specializuar në eksplorimin e thellësive oqeanike, deri në 6 mijë metra. Zyrtarisht i angazhuar në eksplorimin e Arktikut, zonë që po shndërrohet në një pikë gjeostrategjike për trafikun e mallrave, dhe prioritet i Rusisë për vitet e ardhshme. Por thellësi ku ndodhen kabllot e telekomunikacionit, ku dëmtimi i njërës prej tyre do të rrezikonte paralizën e internetit dhe telefonisë, me pasoja të paparashikueshme.
Misteri i dytë ka të bëjë me ekuipazhin. Nga 14 të vdekurit, dy kishin marrë në karrierë gradën e “Heroit të Rusisë”. Pesë ishin kapitenë të klasit të parë, njerëz me 25 vjet eksperiencë të paktën, të mësuar të drejtojnë të vetëm një mjet të tillë. Sipas ekspertit ushtarak Aleksandr Goltz, “kjo do të thotë që misioni në të cilin po merrnin pjesë ishte aq i vështirë sa që nevojitej eksperienca e tyre së bashku”.
Një tjetër mister, është prania e një “personi civil” të paidentifikuar në Losharik, i cili u evakuua dhe arriti të shpëtojë, ashtu si dhe 4 marinarë të tjerë.
Mjeti Losharik ishte i lidhur dhe i transportuar zakonisht nga një tjetër nëndetëse “mëmë”, edhe ajo e furnizuar me energji bërthamore, e quajtur Orenburg. Një shpërthim i dyfishtë bërthamor do të justifikonte termin katastrofë planetare. Por dyshimet e një misteri ende të pathënë dhe që ndoshta nuk do të zbulohet kurrë, mbeten. Ndërkohë, Losharik është transportuar në bazën e Severomorsk dhe do të riparohet, i gatshëm për misione të tjera.