Aplikimi i masave që synojnë frenimin e përhapjes së koronavirusit e ka ulur numrin e qytetarëve që paraqiten në qendrat shëndetësore për vizita. Mjekja pneumologe, Silvana Sadria, në një bisedë në studion e lajmeve në TvT, tha se kontaktet janë reduktuar në minimum, madje edhe me pacientët me sëmundje kronike.
“Me zbatimin e masave të reja, normalisht që edhe fluksi i vizitave ka rënë, pasi edhe mjeku i familjes nga Ministria e Shëndetësisë është udhëzuar që për pacientët kronikë, receta gjeneron vetë nëpërmjet sistemit elekronik kështu që kemi minimizuar kontaktet, vetëm në rastet më emergjente”, tha ajo.
Sadira dha edhe një orientim për qytetarët që përballen me simptomat e epidemisë dhe ndryshimin e tyre nga ato të gripit të zakonshëm të stinës.
“Sa u takon simptomave, koronavirusi si të gjitha viruset e tjera, ka pak a shumë të njëjtat simptoma, agresiviteti është ai që e bën dallimin nëpërmjet kësaj. Shpesh kemi dëgjuar që edhe kjo periudhë ka qëlluar edhe me gripin stinor, kështu që shenjat shumë vështirë për t’i dalluar njërën nga tjetra. Megjithatë, shenjat e përgjithshme kryesore janë: Kollë e thatë, dobësi të përgjithshme, temperaturë që ndonjëherë është edhe shumë e lartë deri në 40 gradë, dhimbje gjoksi dhe shenja që i predispozon më shumë ose i alarmon më shumë pacientët është vështirësia e frymëmarrjes”, tha ajo.
Megjithatë, mjekja pneumologe thotë se nuk duhet të alarmohemi, pasi jo çdo shenjë është koronavirus dhe jo çdo koronavirus mund edhe të hospitalizohet.
“Duhet të kuptojmë që cilësia e këtij virusi mund t’i heqë gati 80% të popullsisë ta kalojë atë në mënyrë asimptomatike, pra të jenë bartës të virusit, po mos të shfaqin asnjë lloj shenje. Megjithatë, një person që dyshon, që ka udhëtuar 2 javëshin e fundit në vendet e zonës së kuqe, ose pacientët tanë që tashmë zonë e kuqe u bëmë edhe ne vetë, këta janë kontigjenti që mund të njoftojë 127-n për të kryer ekzaminimin, për të konfirmuar. Duhet të shikojmë edhe tjetrën: Jo të gjithë që kanë shenjat e koronavirusit, do t’u bëhet edhe ekzaminimi sepse ju thashë që shumica janë asimptomatikë ose kanë shenja të pakta, të cilat dominohen njësoj si gripi tjetër i zakonshëm në kushtet e shtëpisë. Vetëizolimi është baza”, tha Sadria.
Mjekia pneumologe dha detaje në lidhje me dy prej pacientëve me koronavirus, gjendja e të cilëve paraqitet më e rënduar.
“Janë dy pacientë që janë të intubuar, njëri është në gjendje pak më të rëndë, tjetri është i stabilizuar, gjithçka është nën kontroll, personeli është i gjithi aty. Njëri nga pacientët është 63 vjeç dhe tjetri 66 vjeç. Mosha e tretë është më e rrezikuar, por këta janë kontigjenti i ri. Nga statistikat që u panë edhe në botë, mbi 40 vjeç ishte shpeshtësia më e madhe, por nuk u përjashtua sepse e thamë që pacienti i parë në Itali ishte një 32-vjeçar, nuk përjashtohet edhe mosha nën 40 vjeç . Izolimi është për të gjithë moshat, nuk ka asnjë lloj dallimi”, tha ajo.
Lidhur me përdorimin e maskës, Sadria tha se ajo nuk do të minimizojë virusin. “Më shumë po abuzojnë ata që po përdorin maskën tani sesa ata që kanë nevojë për maskën. Maska është për një pacient që e ka virusin për të mos e transmetuar te të tjerët, kështuqë edhe ajo ka një vlerë 2 ose 3 orë, filtri i saj, pas përdorimit duhet ta palosin dhe ta hedhin, pasi në të kundërt bëhet gjenerues virusesh”, tha ajo.