Militantët palestinezë të Hamas në Gaza kanë qëlluar mbi 100 raketa në drejtim të Izraelit. Media izraelite raportoi se një godinë në periferi të Tel Aviv-it në Holon është goditur.
Sipas mediave rajonale, të paktën 130 raketa janë qëlluar nga Gaza të martën në mbrëmje, duke synuar Tel Avivin dhe qytete të tjera izraelite. Brigadat Al-Qassam, krahu ushtarak i Hamasit, lëshuan qindra raketa, njoftoi agjencia e lajmeve Shehab me bazë në Gaza.
Palestinezët thanë se breshëria është një përgjigje ndaj shkatërrimit të kullës Hanadi, një kompleks banimi në Gaza, nga bombardimet izraelite më parë gjatë ditës.
“Nëse armiku vazhdon dhe bombardon kullat civile, Tel Avivi do përballet me një sulm të ashpër raketash që tejkalon atë që ndodhi në Ashkelon”, tha zëdhënësi i Al-Qassam, Abu Ubayda të martën, sipas mediave vendase.
Hamas pretendoi të ketë vrarë dy izraelitë dhe plagosur shumë më tepër në sulmet me raketa në Ashkelon dhe Ashdod më parë gjatë ditës. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Gaza e drejtuar nga Hamas raportoi se 28 persona janë vrarë – përfshirë 10 fëmijë – dhe 152 u plagosën në bombardimet izraelite që nga e marta pasdite.
Një raketë tjetër thuhet se goditi periferinë e Rishon Letzion, më në jug. Të gjitha fluturimet janë pezulluar në Aeroportin Ndërkombëtar Ben Gurion të Tel Avivit dhe avionët po devijohen drejt Qipros, tha Autoriteti i Aviacionit Civil.
Qeveria në Tel Aviv ka konfirmuar se dy civilë u vranë në Ashkelon dhe më shumë se 30 u plagosën në të gjithë Izraelin jugor, pasi mbrojtja raketore ‘Kupola e Hekurt’ me sa duket luftonte për të përballuar vëllimin e madh të raketave nga Gaza.
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se sulmet ajrore kundër Gazës do të rriten në ‘forcë dhe frekuencë’ për shkak të breshërisë së raketave që filloi të hënën.