Gjuha që presidenti amerikan Donald Trump përdor në një letër dërguar Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, është aq e pazakontë sa autenticiteti i saj u vu në dyshim dhe gazetarëve iu desh të merrnin konfirmimin e Shtëpisë së Bardhë.
“Mos bëj të fortin, mos u bëj budalla”, i thotë Presidenti amerikan homologut turk, tre ditë pas njoftimit për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria. Vendimi i hapi rrugën ofensivës së Ankarasë kundër kurdëve në Sirinë veriore.
“Le të punojmë për një marrëveshje të mirë. Ti nuk do të jesh përgjegjës për masakrimin e mijëra personave dhe unë nuk dua të jem përgjegjës për shkatërrimin e ekonomisë turke, dhe unë do ta bëj. Historia do të shohë me sy më të mirë nëse vepron në mënyrë të drejtë dhe njerëzore. Por, nëse gjërat e mira nuk do të ndodhin, ti do të shihesh përgjithmonë si djalli”, shkruan Trump.
Letra, e cila u zbulua fillimisht nga një gazetare e Fox Bussines, u ndesh me mosbesim, me disa që e kanë quajtur si një shaka e të tjerë që flasin për turpërim.
Por, ai që i ka pritur më keq komentet e Trump ka qenë Erdogan. Sipas burimeve të presidencës turke të cituara në BBC, numri një i Ankarasë e refuzoi me vendosmëri letrën, duke e hedhur në një kosh plehrash.
Një ditë pas marrjes së letrës, Turqia nisi ofensivën kundër forcave të drejtuara nga kurdët përtej kufirit. Presidenti amerikan Donald Trump është përballur me reagime të ashpra për tërheqjen e trupave nga Siria veriore. Sipas kritikëve, kjo i dha dritën jeshile aksionit ushtarak të Ankarasë.
Të zëshëm në korin kundër Trump kanë qenë edhe pjesëtarët e partisë së tij. Në një lëvizje të rrallë, 129 pjesëtarët e Partisë Republikane në Dhomën e Përfaqësuesve iu bashkuan demokratëve në denoncimin e vendimit të Presidentit. Rezoluta e përbashkët, e cila i kërkon gjithashtu Presidentit Erdogan të ndalë menjëherë luftimet, u votua me 354 vota në favor dhe 60 kundër.