Shtimi i trupave ushtarakë rusë në kufirin me Ukrainën është cilësuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit si një provokim. Sipas asaj që raporton “Reuters” bllokimi gjithashtu i një pjese të Detit të Zi nga rusët ka të ngjarë që të pengojë hyrjen në portet e Ukrainës.
Media shtetërore ruse ka raportuar se Moska synon të mbyllë pjesë të Detit të Zi për anijet e huaja ushtarake dhe zyrtare për gjashtë muaj. Një veprim i tillë mund të ndikojë në hyrjen në portet ukrainase në Detin Azov, i cili është i lidhur me Detin e Zi përmes ngushticës Kerç.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë cilësuar këto veprime të Rusisë si destabilizuese dhe minuese për Ukrainën. Që nga fundi i Marsit, media sociale ruse ka postuar video që tregojnë praninë e tankeve dhe automjeteve të rënda duke lëvizur në Krime dhe afër Ukrainës lindore. Në të njëjtën kohë, një armëpushim në Ukrainën lindore midis rebelëve të kontrolluar nga Rusia dhe qeverisë së Kievit është prishur.
Konflikti në Ukrainën lindore ka qenë me një intensitet të ulët që nga viti 2015, kur një marrëveshje paqësore përfundoi luftimet e mëdha. Ai proces i paqes ka qenë bllokuar që nga ajo kohë, duke lënë pjesë të Ukrainës lindore nën sundimin e separatistëve të kontrolluar nga Rusia. Disa analistë kanë thënë se veprimet e fundit të Rusisë mund të jenë test për administratën Biden dhe përkushtimin që ka ndaj Ukrainës.
Ukraina dhe Perëndimi po ashtu fajësojnë separatistët e përkrahur nga Rusia, që zotërojnë rajonet lindore të Donetskut dhe Luhanskut për përshkallëzimin e fundit të situatës. Presidenti amerikan Joe Biden, i ka bërë thirrje javën e kaluar homologut të tij rus Vladimir Putin, që të marrë masa për të ulur tensionet me Kievin, dhe ka propozuar një samit në mes të dy liderëve.