Mjeku kryesor i spitalit më të madh të Moskës që po trajton pacientët me koronavirus tha të martën se ai ka rezultuar pozitiv me Covid-19.
Njoftimi i Denis Protsenkos vjen një javë pas takimit të tij me Presidentin Vladimir Putin.
Presidenti rus Vladimir Putin vizitoi spitalin Kommunarka një javë më parë, ku u takua me mjekun Protsenko. Zoti Protsenko tha se ndihej mirë dhe është vetëizoluar në zyrën e tij.
Nuk ka ende asnjë koment nga Kremlini nëse zoti Putin është testuar për koronavirusin pas njoftimit të Dr. Protsenkos.
Presidenti Putin, i veshur me kostum, shihej duke shtrënguar duart me Dr. Protsenkon, duke shkaktuar reagime në mediat sociale për neglizhencën e tij ndaj masave të distancimit social.
Më vonë atë ditë zoti Putin u pa me veshje mbrojtëse dhe një maskë gjatë vizitës në disa dhomave me pacientë të infektuar me koronavirus.
Rusia regjistroi 500 raste të reja me koronavirusit të martën, shifra më e lartë brenda një dite që nga fillimi i përhapjes së Covid-19, duke e ngritur në 2,337 numrin e përgjithshëm të rasteve në vend.
Për shumicën e njerëzve, Covid-19 shkakton simptoma të lehta ose të moderuara, si ethe dhe kollë që zhduken pas dy deri në tre javë. Për tek disa grupe, veçanërisht tek të moshuarit dhe njerëzit me probleme shëndetësore paraprake, koronavirusi mund të shkaktojë sëmundje më të rënda, përfshirë pneumoni dhe vdekje./VOA