Aktualitet Mungojnë dekoderat, dixhitalizimi në Tiranë dhe Durrës shtyhet për në 1 shtator...

Mungojnë dekoderat, dixhitalizimi në Tiranë dhe Durrës shtyhet për në 1 shtator 2019

Autoriteti i Mediave Audiovizive njofton se mbyllja e transmetimeve analoge televizive në qarqet Tiranë dhe Durrës parashikuar për në datën 15 janar 2019, shtyhet për në datën 1 shtator 2019.

Në këto dy qarqe, aktualisht bashkë ekzistojnë të dyja teknologjitë e transmetimit, si ato analoge ashtu edhe ato numerike, kjo metodë simultane transmetimi e cila garanton vazhdimësinë e marrjes së transmetimeve televizive edhe gjatë periudhës tranzitore, do të vijojë deri në datën 1 shtator 2019.

AMA kujton se për familjet tashmë të pajisura me dekoder, vijojnë transmetimet digjitale tokësore të cilat sigurojnë cilësi të lartë në 36 kanale televizive pa pagesë.

Kuadri ligjor që normon procesin e digjitalizimit kërkon domosdoshmërisht pajisjen e plotë të audiencës me marrës numerikë, ose dekodera, në mënyrë që të garantohet vazhdimësia e marrjes së transmetimeve televizive edhe gjatë kësaj periudhe tranzitore.

Për këtë qëllim, AMA vijon të nxisë operatorët e tregut që të sigurojnë sasinë e mjaftueshme të këtyre pajisjeve, me qëllim finalizimin e këtij objektivi në qarqet Tiranë dhe Durrës.

Ndërkohë, AMA po finalizon zbatimin e procesit të digjitalizimit të transmetimeve televizive edhe në qarkun e Vlorës, ku është i njëjti afat i mbylljes së sinjalit analog, 1 Shtator 2019.

Edhe në këtë qark janë ndezur transmetimet numerike të operatorit publik dhe të disa prej atyre private kombëtare, prej të cilave ofrohet rreth dyfishi i kanaleve televizive pa pagesë, për ato familje që janë pajisur me dekoder DVB-T2.