Bota Muri i gjelbër që mund të ndalojë zgjerimin e shkretëtirës më të...

Muri i gjelbër që mund të ndalojë zgjerimin e shkretëtirës më të madhe në botë

Shkretëtira më e madhe në botë po zgjerohet gjithnjë e më shumë. Në shekullin e kaluar, shkretëtira e Saharasë u zgjerua me më shumë se 10%, duke përfshirë 11 vende në Afrikën e Veriut. Uji po bëhet gjithnjë e më i pakët ,cilësia e tokës po përkeqësohet dhe mungesa e bimësisë po çon në pasiguri të ushqimit për rreth 135 milionë njerëz.

Megjithatë, një plan ambicioz, i nisur nga Bashkimi Afrikan në 2007, mund të ndihmojë për të ndaluar zgjerimin e hapësirave ranore dhe të ruajë tokat e rrezikuara. Brenda dekadës së ardhshme, iniciativa e Murit të Madh të Gjelbër shpreson të rikthejë kilometra të tëra toke, përmes një mozaiku 8000 km të gjatë, me pemë, kullota dhe bimë.

Deri në vitin 2030, ky mur pritet të jetë struktura më e madhe e gjallë në Tokë, dhe vendet e prekura nga ky fenomen do të realizojnë një sërë masash ruajtjeje, të tilla si ripyllëzimi, krijimi i tarracave dhe rregullimi i dunave.

Përveç synimit të krijimit të Murit të Madh të Gjelbër për restaurimin e tokës, ekziston edhe qëllimi për të hapur 10 milionë vende pune. I gjithë ky projekt pritet që të ndalë zgjerimin e shkretëtirës, ruajtjen e ekosistemeve, si dhe sigurimin e jetesës për banorët e këtyre zonave, por edhe më gjerë.