Deputeti demokrat, Myslim Murrizi, nuk pranoi që të dorëzonte mandatin e tij ndryshe nga kolegët e tjerë të opozitës. Pavarësisht se votoi pro fillimisht, Murrizi u shpreh gjatë një interviste për “News 24” se më pas e arsyetoi me qetësi.
Votuat pro djegies së mandateve dhe më pas nuk e dorëzuat…
Kam votuar pro për djegien e mandateve në takimin e grupit parlamentar. Por në Këshillin nuk mora pjesë. Nuk ka ndonjë konspiracion të madh. Votova në sinkron me kolegët e mi, por më pas e gjykova me gjakftohtësi.
Kishte të tjerë që menduan si ti?
Pati kolegë të tjerë nga Shkodra, Tirana, Korça. Ishin 7-8 deputetë, të rinj dhe në karrierë, që ishin skeptikë në vendimmarrjen e pakonsultuar më parë nga grupi.
Çfarë do të bëni si deputet i vetëm i PD-së në Kuvend?
Të gjithë deputetët janë vetëm, nuk jemi ansambël. Do të kërkoj që të ndryshojë sistemi që ka kapur prej fyti shoqërinë shqiptare. Do të shkoj në seancat e Kuvendit të kërkoj me forcë çlirimin e sistemit dhe ndryshimin e ligjit zgjedhor.
Si do t’ia mbushni mendjen i vetëm mazhorancës?
Nuk jam Elonora e Komunës së Parisit, për t’i hedh hi syve. Do të kërkoj me forcë. Nuk ka vlerë mandati të fshihesh si struci pas listës së partisë dhe të thuash deputet i popullit.
E merrni përsipër që mund të cilësoheni si tradhtar. Çfarë do t’u thoni atyre që mendojnë kështu?
Ta marrin me qetësi, koha do të tregojë që s’ka të bëjë me tradhti. Pranoj me qetësi çdo lloj mllefi militanti deri në ditët në vijim. Historiku i tradhtisë në këtë parti është që kush i ka dalë kundër PD-së, kujtoj 2017-n, këta që shajnë, marrin prapë listën e fushatës dhe vijnë në kryesi. Të qetësoheni se mund të bëhem më i madh sesa jam në PD. Mund t’i zë vendin Spahos dhe Palokës. Nëse etiketohem tradhtar, i shitur, mos u habisni që pas 1 viti, mos të them më lart se Basha, por mund të jem më lart se tradhtarët e 2017-s. Besoj që PD-ja mos ta thotë fjalën e fundit në fillim.