Sport Liverpuli fuqizon ekonominë e qytetit me 500 milionë paund

Liverpuli fuqizon ekonominë e qytetit me 500 milionë paund

Skuadra e Liverpulit ka pasur një ndikim prej 497 milionë paund në prodhimin e brendshëm bruto në ekonominë e zonës së qytetit të Liverpulit gjatë sezonit 2017-18, sipas një raporti nga Deloitte.

Raporti thekson ndikimin ekonomik që rezultatet e mira të ekipit të Liverpulit kanë pasur në aktivitetet e përditshme në qytet dhe të gjithë rajonit, krahasuar me sezonin e shkuar. Sezonin e shkuar, qyteti e kishte prodhimin e brendshëm bruto në nivelin e 454 milionë paundëve. Aktivitetet e klubit ndikojnë në jetën e 4,500 qytetarëve që janë të lidhura me vendet e punës që klubi ka. Janë 2,3 për qind e vendeve të punës në Liverpul që marrin rrogën nga “the reds”, një numër që rritet edhe më shumë nëse marrim parasysh impaktin që ka ekipi përtej rajonit të Liverpulit.

Më shumë se 1.5 milionë tifozë blenë bileta për të parë ekipin e Klop në “Anfield” në sezonin 2017-18. Ndikimi i vizitorëve është reflektuar në një shumë të shpenzuar që shkon në 102 milionë, e ndarë në 42 milionë për strehim, 28 milionë në restorante, kafe dhe bare në zonë, 15 milionë në shpenzimet e udhëtimit, 12 milionë në tregtinë rajonale dhe 5.4 milionë paund për ushqim dhe shërbime të tjera.

Përtej lojërave, raporti i hartuar nga Deloitte tregon se koncertet që do të mbahen në “Anfield” në verë do të kenë një ndikim të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë ekonomik në rajonin e Liverpulit. Këngëtarët e profilit të lartë si Bon Jovi, Pink dhe Take That, mund të krijojnë një ndikim prej 4.1 milionë euro përmes shpenzimeve të vizitorëve dhe të vendasve.

Peter Moore, drejtor i Liverpulit, u shpreh: “Është e rëndësishme për ne dhe ne si klub ndjehemi krenarë që rezultatet tona kanë këtë ndikim të madh në rajonin tonë. Është e qartë se shumë prej vizitorëve që vijnë në Liverpul për të parë futboll, kthehen në qytet për të tjera qëllime dhe aktivitete, duke shpenzuar.”