Katër mijë euro ka qenë shuma që një 55-vjeçar ka tentuar të përfitojë përmes kanosjes së pronarit të një mobileri.
Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Elbasanit dhe policia ka vepruar në kohë duke arrestuar në flagrancë kanosësin, teksa merrte shumën e parave.
Gjithashtu, uniformat blu po punojnë për kapjen e një 23-vjeçari që dyshohet se ka bashkëpunuar me të arrestuarin, për të kanosur pronarin e mobilierisë.
“Si rezultat i reagimit të menjëhershëm, pas denoncimit të një 50-vjeçari, se kanosej nga 2 shtetas, për t’iu dhënë 4000 euro, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan kryen një hetim proaktiv, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mobilieri ”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë, teksa merrte shumën e eurove, në mobilierinë e 50-vjeçarit, shtetasi P. B., 55 vjeç. Gjithashtu, si bashkëpunëtor për rastin, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi A. K., 23 vjeç. Punohet për kapjen e tij.”
Policia ka sekuestruar shumë e parave, 2 celularë, si dhe 2 automjete dhe 1 motomjet në përdorim nga 2 shtetasit e implikuar në këtë rast.