Nga Mustafa Nano*
Unë vetë ka ca kohë që nuk e ndjek Rain me vëmendjen që e kam ndjekur vite më përpara. Por kur vjen muaji shkurt, që është muaji i Sanremo, unë ulem në divanin e shtëpisë time dhe me telekomandë sinkronizohem në valët e Rai Uno që është kanali që transmeton festivalin e Sanremos.
Përveç faktit që është një show i rëndësishëm, i bukur dhe interesant, unë vitet e fundit kam filluar të shijoj edhe një gjë tjetër që Sanremo në një mënyrë apo në një tjetër ka qenë edhe pak shqiptar.
Këtë herë ishte gjithashtu pak shqiptar sepse në Sanremo ishte edhe Alketa Vejsiu. Ishte ftuar aty midis grave të tjera si prezantuese e këtij festivali në krah të prezantuesit kryesor, Amadeus.
Alketa Vejsiut iu dha një hapësirë e rëndësishme në natën e tretë të Sanremos. Ajo diti ta shfrytëzonte në mënyrë të shkëlqyer këtë hapësirë. Ajo diti të jetë Alketa Vejsiu që ne njohim, që do të thotë një vajzë e rrjedhshme në të folur, elokuente, që di të dominojë skenën, dhe një vajzë që është një garanci në vetvete për ritmin që duhet të ketë një shoë ku ajo merr pjesë.
Ajo u mirëprit edhe nga publiku italian pikërisht për këto arsye. Ajo në mendimin tim nuk bën pjesë te vajzat apo personat, që thotë gjëra që mbeten në mendje, nuk është vajzë që thotë gjëra uau, por ka karakteristikat që unë përmenda që janë të rëndësishme për një showwomen apo për një showgirl.
Tani unë dua t’ju kthej juve dy muaj më përpara, dua t’ju kthej më Shqipëri. Në muajin dhjetor, ku këtu në Tiranë u mbajt “Sanremo shqiptar”, Festivali i Këngës në RTSH, i cili u moderua nga Alketa Vejsiu.
U moderua në një mënyrë që ne e dimë tanimë, provoi një diskutim që zgjati për ditë të tëra, madje edhe për javë të tëra. Unë shpresoj që Alketa Vejsiu nëpërmjet pranisë së saj në Sanremo, të ketë bërë një vëzhgim, që unë jam i sigurt që ajo e ka bërë edhe herë të tjera sepse është një vazhgim që mund të bëhet lehtë.
Unë shpresoj që ajo të ketë vëzhguar me kujdes këtë herë që Festivali i Këngës në RTSH ashtu sikurse edhe Sanremo, nuk mund të jenë një “one men show” siç ishte festivali i dhjetorit, i moderuar dhe prezantuar nga Alketa Vejsiu.
Festivali ynë i dhjetorit duhet të jetë ashtu si Sanremo, një ngjarje e rëndësishme kulturore për vendin, nëse duam t’i rrimë modelit besnik deri në fund sepse festivali ynë ka për model Sanremon.
Unë dua të them se në festivalin tonë duhet të ishin ftuar, ashtu siç u ftuan në Sanremo për pesë ditë me radhë, duhet të ishin ftuar njerëz të rëndësishëm të kulturës shqiptare, të artit shqiptar, njerëz që nëpërmjet aktivitetit të tyre, kanë qenë të zëshëm në arenën lokale, kombëtare dhe këta njerëz duhen sjellur.
Fjala vjen Alketa Vejsiu mund të kishte ftuar në festivalin e fundit që ajo drejtoi Igli Taren, mund të kishte ftuar Emonela Jahon, mund të kishte ftuar komikë të njohur të botës shqiptare, të cilët e meritojnë një skenë si ajo e “Sanremos shqiptare”. Por Alketa Vejsiu nuk e bëri këtë gjë, ajo përkundrazi bëri një festival ku gjithçka e kishte emrin “Alketa Vejsiu”.
Alketa Vejsiu bëri prezantuesen, Alketa Vejsiu bëri këngëtaren, bëri balerinën, madje bëri edhe monologje të natyrës intelektuale. Për mua kjo ishte e pafalshme. Kjo është kritika që unë i bëj Alketa Vejsiut.
Dhe me këtë kritikë unë nuk i heq asgjë aftësisë dhe zotësisë, më saktë zonjësisë së Alketa Vejsiut, ajo mbetet një prezantuese e shkëlqyer e Shqipërisë.
Dhe unë mendoj se me t’u kthyer nga Sanremo, sido që ajo dha shenja që po jetonte atë ngjarje, po sillej sikur kishte kapur qiejtë dhe me të drejtë ishte ngjarje shumë e rëndësishme në jetën e vet, unë dua që ajo me të mbërritur në Shqipëri të kthehet me këmbë në tokë dhe të mos mendojë se është një heroinë dhe që është një figurë e madhe e kombit shqiptar.
Ajo është ajo që është, ajo që do të jetë, ajo që ne njohim, është Alketa Vejsiu një prezantuese e shkëlqyer e spektaklit shqiptar dhe kjo nuk është pak e dashur Alketa. Ky ishte monologu im për sonte që ia dedikova Alketa Vejsiut dhe e shoqërova me një kritikë të vogël, që unë shpresoj që ajo ta marrë me dashamirësi.
*Monologu i Mustafa Nanos në “Provokacija”